Jakup Huseini: Zgjerimi i rrugës Stençe-Gurguricë do të bëhet, garanci mbështetja e Ministrisë së Transportit
Kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, ka marrë zotim nga zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, me theks të veçantë zgjer...
Kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, ka marrë zotim nga zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, me theks të veçantë zgjerimin e rrugës Stençe-Gurguricë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Huseini i ka paraqitur zëvendësministres nevojat e banorëve të Gurguricës dhe zotimet që u ka dhënë atyre gjatë fushatës zgjedhore.
“Ministre, ne jemi në fushatë dhe ngutemi pak. Unë u kam dhënë disa premtime atje poshtë dhe pa juve nuk mund t’i realizoj. Shumë e rëndësishme është rruga Stençe-Gurguricë dhe disa projekte të tjera. Ju lutem që t’i shqyrtoni dhe t’i keni parasysh”, ka deklaruar Huseini.
Nga ana e saj, Zekolli Shaqiri ka siguruar se mbështetja për Bërvenicën do të vazhdojë edhe në projektet e ardhshme, duke përmendur 14 projekte të mbështetura deri më tani, me vlerë prej 1.5 milion eurosh.
“Do të vazhdojmë të mbështesim edhe ato pjesë të rrugëve që kanë ngelur dhe që janë në nevojë të banorëve të asaj zone. Ti më përmende pjesën e fshatit Gurguricë, kështu që ke mbështetjen tonë”, ka deklaruar zëvendësministrja.
Huseini e ka cilësuar këtë zotim si garanci për realizimin e projektit, duke theksuar se është në shërbim të banorëve të Bërvenicës. Ai ka përmendur zgjerimin e rrugës Stençe-Gurguricë si një nga prioritetet për këtë vendbanim.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.