Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janjev, gjatë vizitës së tij zyrtare në Policinë Federale Gjermane, zhvilloi një takim bilateral me presidentin e këtij institucioni, dr. Dieter Romann.

Në takim u diskutuan sfidat aktuale të sigurisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër migrimit ilegal, terrorizmit, kontrabandimit të migrantëve, krimit të organizuar dhe tregtisë së paligjshme me drogë. Vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit në kohë të informatave dhe veprimit të përbashkët operacional.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua forcimit të kapaciteteve të policisë së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht policisë kufitare, përmes trajnimeve të specializuara, shkëmbimit të përvojave dhe zgjidhjeve moderne teknike.

U shqyrtuan edhe mundësitë për vendosjen e portave elektronike kufitare (E-gates), zbatimin e sistemeve të Bashkimit Evropian për kontrollin kufitar, si dhe avancimin e ekipeve të përbashkëta hetimore dhe grupeve operative të punës.

Drejtori Janjev shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë gjermane në modernizimin e policisë së Maqedonisë së Veriut, përmes donacioneve të automjeteve, pajisjeve, mjeteve teknike dhe trajnimeve të specializuara.

Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e investimit në burimet njerëzore, njohuritë dhe integritetin profesional të zyrtarëve policorë. Në këtë kontekst, rihapja e Shkollës së Mesme të Policisë u vlerësua si investim strategjik për të ardhmen e policisë së vendit.

Në fund të takimit u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të partneritetit, shkëmbimin e informatave dhe koordinimin e veprimeve në përballjen me kërcënimet transnacionale të sigurisë.

Maqedonia e Veriut mbetet partnere aktive në bashkëpunimin evropian për siguri, ndërsa përmes partneritetit me Gjermaninë synon të forcojë kapacitetet e saj dhe të kontribuojë në sigurinë e qytetarëve dhe në një Evropë më të sigurt. Gazeta Flaka

The post Janjev në takim me drejtuesin e Policisë Federale Gjermane, thellohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.