Jon Selimi pas takimit me ministrin Shasivarin: Dy orë ligjëratë se si të shkelet ligji e Kushtetuta
Jon Selimi ka reaguar ndaj modelit të propozuar për provimin e jurisprudencës, duke kritikuar zgjidhjen që parasheh mbajtjen e një pjese të provimit në gjuhën maqedonase, ndërsa arsyetimi për këtë përfshin edhe termin “language support”. ...
Jon Selimi ka reaguar ndaj modelit të propozuar për provimin e jurisprudencës, duke kritikuar zgjidhjen që parasheh mbajtjen e një pjese të provimit në gjuhën maqedonase, ndërsa arsyetimi për këtë përfshin edhe termin “language support”.
“Dy orë ligjëratë nga profesori se si të shkelet ligji e Kushtetuta, me dy provime në maqedonisht e ‘language support’ si arsyetim”, ka deklaruar Selimi.
Reagimi i tij vjen pas takimit të përfaqësuesve studentorë me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, ku u diskutua modeli i ri për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë parasheh që 84 për qind e provimit të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe 16 për qind në gjuhën maqedonase. Studentët, megjithatë, kërkojnë që provimi të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe, duke u thirrur në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Para takimit, ministri Shasivari deklaroi se po numëronte orët dhe ditët deri në heqjen e asaj që e cilësoi si “barrierë 35-vjeçare” për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
“Unë përllogaritjet i bëj me orë, në kuptimin që po numëroj orët dhe ditët kur do të hiqet barriera 35-vjeçare”, tha Shasivari.
Ndërkaq, përfaqësuesi studentor Mevlan Ademi e cilësoi rezultatin e takimit si një fitore të lëvizjes studentore, por theksoi se kërkesa për provim 100 për qind në gjuhën shqipe mbetet e parealizuar.
Takimi mes studentëve dhe ministrit zgjati rreth dy orë dhe përfundoi pa marrëveshje përfundimtare. Palët pritet të takohen sërish, ndërsa studentët paralajmëruan se do të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe. Ministri Shasivari kishte paralajmëruar gjithashtu se do të kërkonte mendim nga Komisioni i Venedikut për këtë çështje. Gazeta Flaka
The post Jon Selimi pas takimit me ministrin Shasivarin: Dy orë ligjëratë se si të shkelet ligji e Kushtetuta appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.