Kaosi në Tiranë, ​RENEA vendosen sërish te Kryeministria

Protesta në Tiranë sot është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa efektivët e forcave speciale RENEA janë vendosur sërish pranë Kryeministrisë për të tretën natë radhazi. Situata në kryeqytet vijon të jetë...

tetor 19, 2026 - 20:30
Kaosi në Tiranë, ​RENEA vendosen sërish te Kryeministria

Protesta në Tiranë sot është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa efektivët e forcave speciale RENEA janë vendosur sërish pranë Kryeministrisë për të tretën natë radhazi.

Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa forcat e rendit janë të pozicionuara në zonën përreth ndërtesës së Kryeministrisë, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e tubimit.

Përplasjet vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës, ku janë raportuar hedhje fishekzjarrësh dhe molotovësh në drejtim të policisë.

Dita e shtatë e protestës në Tiranë u përshkallëzua sot me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa kulmoi me sulmin ndaj Gjykatës së Apelit. Të rinj të maskuar mësynë godinën, thyen dyer e xhama me sende të forta dhe një pjesë arriti të hynte në ambientet e brendshme, ku në atë moment ndodheshin edhe punonjës.

Pas sulmit, policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke i ndjekur në rrugët e kryeqytetit dhe duke nisur shoqërimet.

Në sheshin “Skënderbej”, efektivët kontrolluan çantat e disa të rinjve, ndërsa më pas protestuesit u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit. Tubimi nisi me këngë e valle, njësoj si një ditë më parë, ndërsa pati edhe thirrje “Hiqni uniformat” drejtuar efektivëve.

Rreth orës 12:30 situata nisi të ndryshonte. Disa të rinj shkulën pllaka dhe gurë nga trotuari, ndërsa në të njëjtën kohë të tjerë u ofruan sanduiçë policëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet u përshkallëzuan rreth orës 13:00, kur drejt efektivëve u hodhën gurë dhe kapsolla. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit dhe për t’i larguar nga zona e Ministrisë së Arsimit.

Përplasjet u zhvendosën më pas në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e njohur si “Kafe Flora”. Përmes megafonit, policia u kërkoi qytetarëve të largoheshin nga rruga, ndërsa vijoi ndërhyrjen me ujë dhe gaz lotsjellës. Efektivët nuk lejuan rigrumbullimin e protestuesve, të cilët u zhvendosën më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Rreth orës 14:00 situata u përshkallëzua sërish. Një grup protestuesish të maskuar iu drejtua Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe sulmoi godinën. U thyen dyer dhe xhama, ndërsa disa prej tyre hynë brenda ambienteve të institucionit. Pamjet nga brenda gjykatës treguan dëmet e shkaktuara, ndërkohë që në godinë kishte ende punonjës.

Pas këtij momenti, policia nisi aksionin për shpërndarjen e grupeve të protestuesve dhe shoqërimin e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme. Sipas Policisë, për dëmtimin e dyerve dhe dritareve të Gjykatës së Apelit u identifikuan 20 persona, pesë prej tyre u arrestuan dhe 15 u shpallën në kërkim. U sekuestrua gjithashtu një sasi lëndësh piroteknike.

Protestuesit qëndruan përpara kryeministrisë për disa orë pa asnjë konfrontim me policinë. Por rreth orës 18:00 pasi filluan marshimin në bulevard, situata pranë Ministrisë së Brendshme është tensionuar përsëri. Protestuesit u ndanë në dy grupe dhe filluan të godisnin me mjete pirroteknike Ministrinë e Brendshme, ndërsa policia ka ndërhyrë me autobotë në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë u zhvendosën më pas në kryqëzimin mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Protestuesit hodhën fishekzjarre, mjete të tjera piroteknike dhe molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Më pas, protestuesit vijuan marshimin drejt Rrugës së Dibrës. Për disa momente ata u gjendën të rrethuar nga forcat policore, të cilat ndërhynë për shpërndarjen e turmës.

Përpara nisjes së grumbullimit të sotëm reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili bëri thirrje për dialog “pa kushte” dhe kërkoi distancim nga dhuna.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi mbështetjen e opozitës për protestën dhe përsëriti kërkesën për largimin e qeverisë.

Protesta nuk u kufizua vetëm në Tiranë. Tubime dhe marshime u zhvilluan edhe në qytete të tjera, ndërsa në Kurbin u raportuan përplasje dhe hedhje molotovësh drejt godinës së Bashkisë, ku u shkaktuan flakë në hyrje.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.