Kapet i dyshuari që kërcënoi me jetë Presidenten Vjosa Osmani – ky është 40-vjeçari që ishte në kërkim
Një person i dyshuar për kanosje serioze me jetë ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është kapur nga Policia pasi ishte futur në kërkim, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Bekim Sylejman...


Një person i dyshuar për kanosje serioze me jetë ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është kapur nga Policia pasi ishte futur në kërkim, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Bekim Sylejmanin, 40 vjeçar i cili dyshohet se përmes rrjetit social Facebook ka kërcënuar me jetë Presidenten Osmani.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti është trajtuar nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, e cila gjatë veprimeve hetimore ka arritur ta identifikojë Sylejmanin si personin që dyshohet se qëndron prapa kanosjes.
Hetuesit, sipas të njëjtave informacione, kanë siguruar edhe dëshmi që dyshohet se e lidhin atë me kërcënimin e bërë përmes Facebook-ut.
Pas identifikimit, Policia e ka kërkuar të dyshuarin në adresën e tij, por nuk e ka gjetur. Atij i është lënë ftesë për t’u paraqitur në Polici, mirëpo pasi nuk është paraqitur, Sylejmani është futur në kërkim policor.
Kërkimi ka përfunduar më 13 gusht, kur njësitet e Stacionit Policor në Vushtrri kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë 40-vjeçarin.
Pas arrestimit, Sylejmani është shoqëruar në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurorja kujdestare ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij dhe 40-vjeçari është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosja”, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në koordinim me organet kompetente. /Sinjali
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.