Një zyrtar i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim është arrestuar nën dyshimin për korrupsion, pasi dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 500 euro ryshfet në këmbim të një mendimi pozitiv për ndërtimin e një objekti.

Aksioni është realizuar nga pjesëtarët e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Byrosë për Siguri Publike.

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat maqedonase, zyrtari është kapur në flagrancë gjatë marrjes së 500 eurove, të cilat paraprakisht ishin shënuar dhe përpunuar nga policia për nevojat e operacionit.

Dyshimet e hetuesve janë se bëhet fjalë për një praktikë që mund të jetë përsëritur edhe më herët. I dyshuari dyshohet se kishte kërkuar dhe marrë para në këmbim të dhënies së mendimeve pozitive dhe miratimeve të nevojshme për ndërtimin e objekteve banesore dhe afariste.

Pas arrestimit, ndaj tij pritet të ndërmerren procedurat përkatëse ligjore, ndërsa priten detaje zyrtare nga institucionet kompetente për rastin dhe kualifikimin juridik të veprës.

The post Kapet në flagrancë duke marrë 500 euro ryshfet, arrestohet zyrtari shtetëror appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.