Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, është shprehur i bindur se në zgjedhjet e ardhshme të rregullta do ta mposhtin bindshëm BDI-në, nëse kjo e fundit garon si subjekt që synon të përfaqësojë drejtpërdrejt votën shqiptare.

Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Kasami tha se VLEN përfaqëson shqiptarët në Qeveri, ndërsa sfidoi BDI-në që në zgjedhjet e ardhshme të përcaktojë qartë nëse do të garojë me koalicion etnik, multietnik apo qytetar.

Ai përmendi mundësinë që BDI të garojë përmes koalicionit AKI, pa përfshirë parti të komuniteteve të tjera, duke theksuar se rezultati zgjedhor do të ishte përcaktues për përfaqësimin në Qeveri.

“Nëse shkon me koalicion etnik, nëse fiton një deputet më shumë, do ta vlerësojmë kyçjen tonë në Qeveri”, deklaroi Kasami.

Më tej, ai shprehu bindjen se VLEN do të dalë dukshëm më mirë se BDI në zgjedhjet e rregullta, në rast se kjo e fundit garon e vetme në bllokun politik shqiptar.

“Ne kemi bindjen e plotë se në zgjedhjet e rregullta do të fitojmë bindshëm para BDI-së, nëse ata do të konkurrojnë si parti që do të përfaqësojë shqiptarët, jo në kombinatorika me parti të tjera si LSDM apo të tjera”, u shpreh Kasami.

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.