Katër nga pesë dëshmitarët nuk e përmendin Grubin, dëshmitarja e fundit nuk konfirmon pretendimet e Prokurorisë
Katër nga pesë dëshmitarët kryesorë në gjykimin për Lotarinë Shtetërore nuk e kanë përmendur fare emrin e Artan Grubit në dëshmitë e tyre, ndonëse Prokuroria synonte që përmes tyre të dëshmonte ndikimin e tij në punën e këtij institucioni. ...
Katër nga pesë dëshmitarët kryesorë në gjykimin për Lotarinë Shtetërore nuk e kanë përmendur fare emrin e Artan Grubit në dëshmitë e tyre, ndonëse Prokuroria synonte që përmes tyre të dëshmonte ndikimin e tij në punën e këtij institucioni.
Edhe dëshmitarja e sotme, Nadije Hoxha, nuk i mbështeti pretendimet e Prokurorisë për lidhjet mes Artan Grubit dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Perparim Bajrami. Pas përgjigjeve të saj, prokurorët kërkuan që ajo të shpallej dëshmitare kundërshtuese, me qëllim që ta merrnin në pyetje përmes pyetjeve të kryqëzuara.
Hoxha, e cila prej dhjetë vitesh punon në Lotarinë Shtetërore, në sektorin e transportit, dëshmoi se nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie mes Artan Grubit dhe Perparim Bajramit në kuadër të punës së këtij institucioni.
E pyetur nëse Bajrami e kushtëzonte marrëdhënien me Grubin duke iu referuar “shefit”, ajo u përgjigj negativisht.
Pas këtyre përgjigjeve, Prokuroria kërkoi të drejtën për ta marrë atë në pyetje si dëshmitare kundërshtuese. Edhe gjatë pyetjeve shtesë, Hoxha nuk i ndryshoi deklaratat e saj.
Sipas të dhënave nga gjykimi, nga pesë dëshmitarët kryesorë, përmes të cilëve Prokuroria synonte të dëshmonte ndikimin e Grubit, katër nuk e kanë përmendur fare emrin e tij.
I vetmi që e ka përmendur është Andrej Krstevski. Ai ka deklaruar se Artan Grubi dhe Perparim Bajrami kishin afërsi partiake dhe se i kishte parë së bashku në veprimtari partiake. Megjithatë, ai nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi konkrete për bashkëpunim apo ndikim të Grubit në punën e Lotarisë Shtetërore.
“Nëse Perparim Bajrami ka marrë udhëzime nga Artan Grubi për punën e Lotarisë Shtetërore, nuk e di. Di vetëm se Perparimi e kushtëzonte atë me ‘shefin’”, ka deklaruar Krstevski.
Në periudhën për të cilën bëhet fjalë, Grubi ishte funksionar i lartë i BDI-së, shef i kabinetit të kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, dhe zëvendëskryeministër në Qeveri.
Dëshmitë e deritanishme janë pjesë e rëndësishme e vlerësimit të pretendimeve të Prokurorisë për ndikimin e Grubit në Lotarinë Shtetërore. Megjithatë, ato nuk përbëjnë përfundim për përgjegjësinë e tij penale. Për këtë do të vendosë gjykata, duke vlerësuar të gjitha dëshmitë dhe provat e paraqitura gjatë procesit. Gazeta Flaka
The post Katër nga pesë dëshmitarët nuk e përmendin Grubin, dëshmitarja e fundit nuk konfirmon pretendimet e Prokurorisë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.