Kërkoi shtetësinë në dy gjuhë, administrata i tha “nuk bëhet” – qytetarja kërkon sqarim

Një qytetare i është drejtuar sot Agjencisë së Lajmeve INA, duke ngritur shqetësim lidhur me mënyrën e trajtimit të kërkesës së saj për lëshimin e dokumentit të shtetësisë në dy gjuhë. Sipas saj, gjatë plotësimit të kërkesës për nxjerrjen e...

shtator 2, 2026 - 00:00
Kërkoi shtetësinë në dy gjuhë, administrata i tha “nuk bëhet” – qytetarja kërkon sqarim

Një qytetare i është drejtuar sot Agjencisë së Lajmeve INA, duke ngritur shqetësim lidhur me mënyrën e trajtimit të kërkesës së saj për lëshimin e dokumentit të shtetësisë në dy gjuhë.

Sipas saj, gjatë plotësimit të kërkesës për nxjerrjen e dokumentit, ajo ka kërkuar që dokumenti të lëshohet në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht. Megjithatë, kërkesa e saj nuk është pranuar nga nënpunësja administrative.

Qytetarja thotë se, pasi kërkoi që dokumenti të lëshohej në dy gjuhë, nëpunësja i është përgjigjur se dokumentet e shtetësisë nuk bëhen në dy gjuhë.
Ndër të tjera, qytetarja e ka pyetur nëpunësen nëse “ndonjëherë më parë është lëshuar ndonjë dokument shtetësie në dy gjuhë?”
Përgjigjja, sipas qytetares, ka qenë e shkurtër dhe e qartë: “Jo, asnjëherë.”
Qytetarja thotë se pikërisht kjo përgjigje ka bërë që ajo të kërkojë sqarim më të detajuar, pasi dëshiron të dijë nëse ekziston ndonjë bazë ligjore që përcakton se dokumenti i shtetësisë nuk mund të lëshohet në dy gjuhë.
“Unë nuk kërkova asgjë të jashtëzakonshme. Kërkova të di nëse dokumenti mund të lëshohet në dy gjuhë dhe, nëse nuk mundet, të më tregohet baza ligjore. Kur pyeta nëse ndonjëherë është lëshuar një dokument i tillë në dy gjuhë, përgjigjja ishte ‘jo, asnjëherë’”, shprehet qytetarja për INA.
Ajo kërkon që institucionet kompetente të sqarojnë publikisht nëse dokumentet e shtetësisë mund të lëshohen në dy gjuhët zyrtare dhe nëse administrata mund të refuzojë një kërkesë të tillë vetëm me arsyetimin se “nuk bëhet”.
Qytetarja thekson se qëllimi i saj nuk është të krijojë konflikt me administratën, por të marrë një përgjigje të qartë dhe zyrtare për të drejtën e përdorimit të gjuhës në dokumentacionin zyrtar.
INA do të kërkojë sqarim nga institucionet kompetente lidhur me këtë rast dhe bazën ligjore për mënyrën e lëshimit të dokumenteve të shtetësisë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.