KFOR nis integrimin e Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë në Manastirin e Deçanit: Proces i koordinuar
KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë tha se ka nisur sot “integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit”. “Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kos...


KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë tha se ka nisur sot “integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit”.
“Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të Institucioneve në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, tha një zëdhënës i KFOR-it.
Angazhimi i KFOR-it për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale është i palëkundur, thotë misioni paqeruajtës.
“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të bazuar në OKB. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, tha zëdhënësi.
KFOR-i thotë se “do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, Institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, me qëllim ruajtjen e transparencës, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, si dhe shmangien e keqkuptimeve”.
“Është e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim”, thotë zëdhënësi i KFOR-it.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
