Komandanti i NATO-s nga Napoli viziton Shkupin: Korridoret strategjike dhe ushtrimet e reja ushtarake

Një delegacion i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli (JFCNP), i udhëhequr nga komandanti, admirali George M. Wikoff, po zhvillon një vizitë dyditore në vend, me theks të veçantë për bashkëpunimin ushtarak, korridoret strate...

shtator 10, 2026 - 20:30
Komandanti i NATO-s nga Napoli viziton Shkupin: Korridoret strategjike dhe ushtrimet e reja ushtarake

Një delegacion i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli (JFCNP), i udhëhequr nga komandanti, admirali George M. Wikoff, po zhvillon një vizitë dyditore në vend, me theks të veçantë për bashkëpunimin ushtarak, korridoret strategjike dhe realizimi i tyre, përcjell INA.

Në kuadër të vizitës, admirali Wikoff zhvilloi takime me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, si dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski.

Në fokus të takimeve ishte situata aktuale e sigurisë në rajon, përmbushja e objektivave të aftësive të NATO-s, si dhe mundësitë për realizimin e aktiviteteve stërvitore ushtarake në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, admirali Wikoff u njoftua nga afër me pozicionin gjeografik strategjik të vendit si një kryqëzim kyç i korridoreve kryesore të transportit për NATO-n. Në këtë kuadër, u nënvizua roli i rëndësishëm i Ushtrisë në garantimin e lëvizshmërisë ushtarake, shpejtësisë së reagimit, qëndrueshmërisë dhe thellësisë strategjike të Aleancës.

Nga ana e tij, admirali Wikoff vlerësoi përkushtimin e shtetit si një kontribues aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke veçuar profesionalizmin dhe kontributin e ushtrisë në misionet e udhëhequra nga NATO.

Së fundi, palët konfirmuan rëndësinë e një qasjeje të koordinuar brenda Aleancës për përballimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.