Më 26 dhe 27 nëntor, në Shkup do të qëndrojë një delegacion i Komisionit të Venecias, i cili do të shqyrtojë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës, me theks të veçantë te çështja e përdorimit të gjuhëve gjatë dhënies së provimit.
Vizita dyditore është konfirmuar, ndërsa raportuesit do të mbledhin informacione dhe argumente nga institucionet, ekspertët dhe studentët, përpara përgatitjes së opinionit juridik.
Delegacioni përbëhet nga Janneke Gerards nga Holanda, Mārtiņš Mits nga Letonia, Andreas Paulus nga Gjermania dhe eksperti Mattia Zeba. Ata do të zhvillojnë takime me Ministrinë e Drejtësisë, përfshirë anëtarët e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, si dhe me përfaqësues të shumicës parlamentare dhe opozitës. Takimet me dy blloqet politike do të zhvillohen ndaras, duke u mundësuar të gjitha grupeve parlamentare të paraqesin qëndrimet e tyre.
Në agjendën e delegacionit janë edhe Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor, Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë dhe Oda e Avokatëve. Raportuesit do të takojnë gjithashtu përfaqësues të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhës Zyrtare Maqedonase dhe Institutit të Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov”. Takime janë paraparë edhe me Avokatin e Popullit dhe Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Një pjesë e veçantë e vizitës u kushtohet universiteteve dhe studentëve të drejtësisë. Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të takohen me dekanët dhe përfaqësuesit studentorë të pesë fakulteteve juridike, të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetit të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglindore, Universitetit Ndërkombëtar Vizion dhe Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik. Studentët do të kenë mundësi t’i paraqesin drejtpërdrejt argumentet dhe shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën e organizimit dhe gjuhën e provimit.
Vizita zhvillohet pas iniciativës së Ministrisë së Drejtësisë për ndryshime ligjore që synojnë të mundësojnë dhënien e pjesës teorike të provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Propozimi ka hapur diskutime për të drejtat gjuhësore, trajtimin e barabartë të kandidatëve dhe ruajtjen e standardeve profesionale në sistemin e drejtësisë.
Gjatë qëndrimit në Shkup, delegacioni do të zhvillojë takime edhe me organizata të shoqërisë civile dhe organizata ndërkombëtare, me mbështetjen e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup.
Pas përfundimit të vizitës dhe konsultimeve, Komisioni i Venecias do të vijojë procedurën për përgatitjen e opinionit mbi ndryshimet e propozuara ligjore./Alsat.mk
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




