Komisioni parlamentar sot shqyrton rastin e Alta Bankës, në fokus përgjegjësia e institucioneve
Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet sot do të mbajë debat mbikëqyrës lidhur me arsyet që çuan në vendosjen e administrimit të përkohshëm në „ALTA Banka“ SHA Manastir, veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësinë institucionale. ...
Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet sot do të mbajë debat mbikëqyrës lidhur me arsyet që çuan në vendosjen e administrimit të përkohshëm në „ALTA Banka“ SHA Manastir, veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësinë institucionale.
Siç njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit, në këtë debat janë ftuar përfaqësues të autorizuar të Qeverisë dhe organeve të administratës shtetërore, si dhe persona të tjerë që mund të japin informacione lidhur me çështjen.
Në fokus të debatit do të jenë rrethanat që çuan në vendosjen e administrimit të përkohshëm në bankë, roli i Bankës Popullore gjatë procedurës, si dhe përgjegjësia e institucioneve kompetente.
Në „ALTA Banka“ SHA Manastir, nga 1 nëntori është vendosur administrim i përkohshëm, pas zhvillimeve me aksionarin e saj dominues, „ALTA Banka“ SHA Beograd, të cilës autoriteti kompetent mbikëqyrës në Serbi ia revokoi licencën e punës, duke marrë njëkohësisht vendim për plotësimin e kushteve për fillimin e procedurës së falimentimit.
Sipas sqarimit të Bankës Popullore, qëllimi i administrimit të përkohshëm në bankën e Manastirit është vazhdimi i funksionimit të saj dhe mbrojtja e mjeteve dhe interesave të depozituesve dhe kreditorëve të tjerë deri në zgjidhjen e çështjes së pronësisë.
Administrimi është paraparë të zgjasë tre muaj. Për administratorë janë emëruar Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska, të punësuar në Bankën Popullore. Ata kanë marrë kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës, Bordit Drejtues dhe Kuvendit të Aksionarëve, me përjashtim të vendimmarrjes për rritjen e kapitalit të bankës.
Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të evidentuar gjendjen e përgjithshme në bankë dhe për të dorëzuar raport në Këshillin Ekzekutiv të Bankës Popullore.
Ndërkohë, Banka Popullore njofton se po vazhdon lehtësimin gradual të kushteve për disponimin e mjeteve dhe shfrytëzimin e shërbimeve bankare nga klientët e „ALTA Bankës“ SHA Manastir.
Në kuadër të masave për të siguruar qasje më të lehtë në mjetet financiare dhe përmbushjen e detyrimeve të përditshme, nga dje klientët mund të përdorin shërbimet e bankimit elektronik dhe mobil, në përputhje me kufizimet e përcaktuara: deri në 15.000 denarë në javë për klientët që posedojnë kartela pagesore dhe deri në 20.000 denarë për dy javë për ata që nuk posedojnë kartela.
Gjithashtu, nga sot do të fillojë punën edhe ekspozitura e „ALTA Bankës“ në Shkup, në Qendrën Tregtare „Biser“, në bulevardin „Jane Sandanski“, nr. 1/1.
Në funksion vazhdojnë të jenë edhe ekspoziturat në Manastir, Strumicë dhe Tetovë, ku klientët mund të kryejnë shërbimet e lejuara deri më tani, përfshirë tërheqjen e parave të gatshme në sportel, brenda kufizimeve të përcaktuara, pagesën e faturave komunale, këstet e kredive dhe nevoja të tjera financiare. Gazeta Flaka
The post Komisioni parlamentar sot shqyrton rastin e Alta Bankës, në fokus përgjegjësia e institucioneve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.