Kosova dhe Shqipëria pritet të dërgojnë trupa në Forcën Ndërkombëtare për Gazën
Bisedimet për dislokimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës po avancojnë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria përmenden në mesin e vendeve që pritet të dërgojnë disa qindra trupa. Sipas një burimi të përfshirë në negociata, të...


Bisedimet për dislokimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës po avancojnë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria përmenden në mesin e vendeve që pritet të dërgojnë disa qindra trupa.
Sipas një burimi të përfshirë në negociata, të cilin e citon “The Times of Israel”, po diskutohet dislokimi i rreth 1 mijë e 200 trupave nga Uganda dhe 500 të tjerëve nga Burundi. Kontingjentit pritet t’i bashkohen edhe trupa nga Kosova, Shqipëria, Maroku dhe Kazakistani.
Në bisedime është rikthyer edhe Indonezia, e cila në maj i kishte pezulluar diskutimet për t’iu bashkuar kësaj force.
Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit parashikohet ta marrë gradualisht rolin e ushtrisë izraelite në Gaza dhe të ndihmojë në procesin e çarmatimit.
Megjithatë, ende nuk është caktuar një datë për dislokimin e forcës dhe nevojiten miratime të tjera nga Izraeli.
Në fund të korrikut, Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte njoftuar se kabineti i sigurisë miratoi hyrjen e kufizuar të trupave nga disa “vende mike”. Një muaj më vonë, e njëjta zyrë deklaroi se Izraeli nuk e kishte miratuar hyrjen e forcës në Gaza.
Ndërkohë, procesi për çarmatimin e Hamasit vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas një diplomati nga një vend ndërmjetësues, përpjekjet e reja për avancimin e planit mund të shtyhen deri pas zgjedhjeve për Knessetin më 27 tetor.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.