Kosova drejt pikës së fundit për Presidentin, opozita e pushteti me qëndrime të kundërta
Afati për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës po shkon drejt fundit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin dhe procesin e zgjedhjes. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 6 tetorin si afatin deri kur Kuvend...


Afati për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës po shkon drejt fundit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin dhe procesin e zgjedhjes.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 6 tetorin si afatin deri kur Kuvendi duhet ta përfundojë procesin e zgjedhjes së Presidentit. Nëse kjo nuk ndodh, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Ditët e fundit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar me kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, pas takimeve nuk janë bërë publike detaje rreth diskutimeve.
Deri tani, nuk ka një marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa mbetet e paqartë nëse subjektet politike do të arrijnë konsensus brenda afatit kushtetues.
Në një prononcim për Front Online, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka bërë thirrje për bashkëpunim politik, duke thënë se Kosovës nuk i duhen zgjedhje të reja.
“Kosova ka nevojë për president, jo për zgjedhje. Uroj që opozita të ketë hequr dorë nga bllokada”, është shprehur Rrustemi.
Sipas tij, situata aktuale kërkon bashkëpunim politik për të garantuar stabilitet institucional.
“Nuk kemi nevojë për zgjedhje, por për bashkëpunim për t’i dhënë vendit stabilitet. Sidomos aktualisht kur po përballemi me sfidën e Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.
Ramadani: Kosova duhet ta zgjedhë Presidentin brenda afatit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova duhet ta përmbyllë procesin e zgjedhjes së Presidentit brenda afatit kushtetues, më 6 tetor.
Ai ka thënë se zgjedhja e Presidentit do të ndikonte në stabilizimin e institucioneve.
“Një gjë jam i bindur: Kosova duhet ta zgjedh Presidentin! Kjo do të ndihmonte në stabilizimin e institucioneve dhe pastaj zhvillon debatin politik e shoqëror për ndryshimin e madh që duhet të ndodhë”, ka deklaruar Ramadani.
Në anën tjetër, ai ka kritikuar pushtetin aktual, duke e cilësuar atë si “pushtet të krizave dhe kaosit institucional”.
“Ajo çka po duket qartë është se pushteti aktual është pushtet i krizave dhe kaosit institucional. Pres që pushteti i krizave ta çojë Kosovën edhe njëherë në zgjedhje”, ka thënë Ramadani.
Demhasaj: Kurti synon zgjedhjet, takimet me opozitën për të gjetur fajtorin
Analisti politik Arton Demhasaj ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk është i interesuar për zgjedhjen e Presidentit, por për dërgimin e vendit në zgjedhje.
“Qëllimi i Kurtit është i kamotshëm që vendin me çuar në zgjedhje. Nuk ka qenë i interesuar asnjëherë dhe as tash me i dhënë President vendit”, ka deklaruar Demhasaj.
Sipas tij, takimet e Kurtit me PDK-në dhe LDK-në kanë për qëllim krijimin e një situate ku opozita mund të fajësohet për dështimin e procesit.
“Takimet me PDK e LDK i ka pasur vetëm me u munduar me gjet një fajtor për ta fajësuar kur ta dërgon vendin në zgjedhje. Nuk ka asnjë tregues që Kurti është i interesuar për President e jo për zgjedhje”, ka thënë ai.
Demhasaj ka pretenduar gjithashtu se qytetarët po e kuptojnë këtë qasje të kryeministrit dhe se LVV-ja mund të përballet me kosto politike.
“Populli gradualisht është duke u vetëdijesuar, është duke e parë taktikën e Kurtit që me mbajt pothuajse një mandat të plotë qeverisës veç me ushtrues detyre e me dërguar vendin në zgjedhje. Për këtë ka me filluar ndëshkimi i popullit, se për shkak të kryeneçësisë dhe interesave të tij, ndëshkimi do të jetë për LVV”, është shprehur Demhasa
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.