Kosova forcon FSK-në me kamionë ushtarakë gjermanë, Maqedonci zbulon sa automjete janë pranuar

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të forcojë kapacitetet e saj logjistike me automjete të reja ushtarake. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Kosova ka pranuar 12 kamionë ushtarakë UNIMOG – Mercedes-Ben...

tetor 29, 2026 - 11:00
Kosova forcon FSK-në me kamionë ushtarakë gjermanë, Maqedonci zbulon sa automjete janë pranuar

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të forcojë kapacitetet e saj logjistike me automjete të reja ushtarake. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Kosova ka pranuar 12 kamionë ushtarakë UNIMOG – Mercedes-Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e FSK-së.

Dorëzimi u bë në një ceremoni ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe përfaqësuesi i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks, Daniel Zittel.

Përmes një postimi, Maqedonci ka theksuar se përveç blerjeve, Gjermania po e mbështet Kosovën edhe përmes donacioneve ushtarake, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një partneritet të vazhdueshëm mes dy vendeve.

Sipas tij, në vitin 2024 Kosova kishte pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Ndërsa gjatë vitit 2027 pritet të arrijnë edhe dy kamionë të tjerë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG – Mercedes-Benz, gjithashtu donacion gjerman.

Dhjetëra kamionë të tjerë priten gjatë vitit 2027

Përveç automjeteve të siguruara përmes donacioneve, Kosova ka planifikuar edhe blerjen e dhjetëra kamionëve të tjerë, të cilët pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.

Maqedonci bëri të ditur se me 12 kamionët UNIMOG dhe tetë kamionët Rheinmetall të pranuar gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara nga këto dy kategori ka arritur në 35.

Kamionët e rinj do të shërbejnë për transportimin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe për furnizimin e njësive të FSK-së në terrene të vështira dhe kushte të ndryshme operacionale.

Sipas ministrit, këto investime janë pjesë e planifikimit afatgjatë për modernizimin e FSK-së dhe rritjen e aftësive të saj për të përmbushur detyrat në fushën e sigurisë.

“Logjistika është pjesë thelbësore e gatishmërisë operacionale”, ka theksuar Maqedonci, duke nënvizuar se një forcë moderne ka nevojë për pajisje dhe kapacitete që i mundësojnë lëvizje, furnizim dhe veprim efikas.

Ai ka falënderuar kryeministrin Kurti, komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin, ambasadorin gjerman dhe përfaqësuesit e kompanive për bashkëpunimin, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të investojë në pajisje, infrastrukturë dhe burime njerëzore.

Synimi, sipas tij, është ndërtimi i një force profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.