Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka ndaluar hyrjen e dy ngarkesave me gjithsej 12.268 kilogramë produkte ushqimore të prodhuara nga fabrika AD MLEKARA TETOVO.
Ngarkesat, të importuara nga kompania “VIZIONI M.Z.I.I” nga Graçanica, janë ndaluar në pikën kufitare në Han të Elezit dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Sipas AUV-së, vendimi për ndalimin e importit është marrë më 6 nëntor, pas shkeljeve të përsëritura të standardeve të sigurisë ushqimore dhe higjienës gjatë prodhimit.
Arsyet përfshijnë edhe rezultate të pakënaqshme laboratorike në ngarkesat e mëparshme, ku është konstatuar prania e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar.
AUV ka bërë të ditur se fabrika është larguar nga lista e prodhuesve të aprovuar për eksport në Kosovë. Ndërkohë, do të vazhdojnë kontrollet për identifikimin e produkteve të mundshme jokonforme që janë importuar më herët.
Asnjëra nga dy ngarkesat e fundit nuk është lejuar të hyjë në tregun e Kosovës.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




