Kosova ndalon importin e produkteve të një Qumshtorje të Tetovës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka ndaluar importin e të gjitha produkteve ushqimore nga stabilimenti SHA Mlekarna Tetovo, pas konstatimit të përsëritur të bakterit E. coli në mostrat e testuara laboratorike. Vendimi...
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka ndaluar importin e të gjitha produkteve ushqimore nga stabilimenti SHA Mlekarna Tetovo, pas konstatimit të përsëritur të bakterit E. coli në mostrat e testuara laboratorike.
Vendimi është marrë më 6 nëntor 2026, pas 11 testimeve me rezultate mikrobiologjike të pakënaqshme, të realizuara gjatë periudhës prill-tetor 2026.
Sipas njoftimit të AUV-së, analizat janë kryer nga laboratorët e këtij institucioni, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe laboratori Food Lab në Maqedoninë e Veriut.
Në mesin e produkteve ku janë kryer testimet përfshihen kremi i bardhë, produktet e tipit të gjizës dhe përgatitjet ushqimore me yndyrë bimore, të tregtuara me markat “Natura Sharplaninska”, “Olios” dhe “Bianco Vacuum”.
Produktet e këtij stabilimenti janë importuar në Kosovë përmes operatorëve ekonomikë “Vizioni M.Z.I”, “Dauti Komerc” dhe “Delfini L.T.D”.
Megjithatë, AUV sqaron se të gjitha dërgesat në të cilat janë konstatuar rezultate të pakënaqshme laboratorike janë refuzuar në pikat kufitare dhe nuk janë lejuar të hyjnë në tregun e Kosovës.
Përveç ndalimit të importit, autoritetet kosovare kanë vendosur edhe largimin e SHA Mlekarna Tetovo nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport në Kosovë. Masa përfshin të gjitha produktet e këtij prodhuesi, pavarësisht operatorit ekonomik përmes të cilit tentohet importi, deri në ndryshimin e vendimit.
Ndërkohë, AUV ka paralajmëruar kontrolle shtesë në depot e operatorëve ekonomikë, rrjetin e shpërndarjes dhe pikat e shitjes, për të verifikuar nëse në qarkullim gjenden ende produkte të importuara më herët nga ky stabiliment.
Kontrollet do të përfshijnë identifikimin e loteve, sasitë e importuara dhe të shpërndara, dokumentacionin e furnizimit, datat e prodhimit dhe skadencës, si dhe marrjen e mostrave për analiza të mëtejshme.
AUV paralajmëron se në rast të identifikimit të produkteve që nuk përmbushin kriteret e sigurisë ushqimore, do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen e tyre nga tregu.
Vendimi i autoriteteve kosovare vjen pas një serie testimesh laboratorike me rezultate të përsëritura të pakënaqshme, ndërsa kontrollet do të përcaktojnë nëse produkte të importuara më herët gjenden ende në treg. Gazeta Flaka
The post Kosova ndalon importin e produkteve të një Qumshtorje të Tetovës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.