Kostovski përdor patronatin e shkollës “Penko” për politikë, drejtoresha kritikohet nga prindërit!
Një aktivitet shkollor në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel është shndërruar në objekt kritikash nga prindërit, të cilët pretendojnë se patronati i shkollës është shfrytëzuar për promovim politik nga kryetari i Komunës s...
Një aktivitet shkollor në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel është shndërruar në objekt kritikash nga prindërit, të cilët pretendojnë se patronati i shkollës është shfrytëzuar për promovim politik nga kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski.
Sipas reagimit të prindërve, gjatë fjalimit të tij, Kostovski nuk u përqendrua vetëm te rëndësia e arsimit dhe e shkollës, por foli edhe për projektet komunale, rikonstruksionin e rrugëve dhe arritjet e pushtetit lokal.
Veçanërisht është kritikuar deklarata e tij se jeta në Butel është më e mirë se në Çair, me të cilën, sipas prindërve, ai e përfundoi fjalimin e tij.
Prindërit shprehin pakënaqësi edhe për mënyrën se si u arsyetua mbyllja e paraleles, duke theksuar se në vend të një aktiviteti kushtuar patronatit të shkollës, vëmendja u zhvendos drejt promovimit të projekteve dhe vendimeve komunale.
Në qendër të kritikave është edhe drejtoresha e shkollës, Mevlide Elezi Kryeziu, së cilës prindërit i atribuojnë përgjegjësi për lejimin e përdorimit të hapësirës shkollore për mesazhe politike.
Sipas reagimit, kjo nuk është hera e parë që patronati i shkollës shoqërohet me promovim politik nga Kostovski dhe drejtoresha e institucionit.
Prindërit e konsiderojnë veçanërisht shqetësues faktin se bëhet fjalë për një shkollë ku shumica e nxënësve janë shqiptarë, ndërsa kërkojnë që institucionet arsimore të mbeten jashtë ndikimeve partiake.
“Shkolla nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo u përket nxënësve, mësimdhënësve dhe komunitetit. Patronati duhet të jetë festë e arsimit, dijes dhe nxënësve, jo tribunë për poenë politikë”, thuhet në reagimin e prindërve.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.