Kovachev: Shkupi nuk ka arsye të ankohet ndaj Bullgarisë për rastin e Iva Mihailovës

Eurodeputeti bullgar nga radhët e partisë GERB, Andrej Kovachev, deklaroi se Shkupi nuk ka bazë për t’u ankuar pranë institucioneve evropiane lidhur me rastin e Iva Mihailovës, e cila, pavarësisht ndalesës gjyqësore, u largua nga Maqedonia ...

tetor 13, 2026 - 13:30
Kovachev: Shkupi nuk ka arsye të ankohet ndaj Bullgarisë për rastin e Iva Mihailovës

Eurodeputeti bullgar nga radhët e partisë GERB, Andrej Kovachev, deklaroi se Shkupi nuk ka bazë për t’u ankuar pranë institucioneve evropiane lidhur me rastin e Iva Mihailovës, e cila, pavarësisht ndalesës gjyqësore, u largua nga Maqedonia e Veriut drejt Bullgarisë.
Në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), Kovachev tha se e ka informuar personalisht presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për rastin gjatë një takimi të Partisë Popullore Evropiane (EPP), që po mbahej në Itali.
“E informova presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për situatën dhe mendoj se Shkupi nuk ka arsye të ankohet ndaj Bullgarisë. Çfarë ka bërë konkretisht Bullgaria që mund të konsiderohet problematike? Absolutisht asgjë”, deklaroi Kovachev.
Sipas eurodeputetit bullgar, rasti duhet të trajtohet si çështje humanitare. Ai theksoi se gjendja shëndetësore e Mihailovës kërkon vëmendje të menjëhershme dhe se ajo ka të drejtë të marrë kujdesin e duhur mjekësor.
MPJ-ja e RMV-së paralajmëroi se do të informojë institucionet evropiane
Deklarata e Kovachevit vjen pasi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se për largimin e Mihailovës nga vendi, pavarësisht ndalesës gjyqësore, do të informojë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Nga MPJ-ja vlerësuan se veprimet e institucioneve bullgare lidhur me këtë rast cenojnë përpjekjet e bëra për ndërtimin e besimit dhe janë në kundërshtim me angazhimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Rasti ka nxitur reagime mes dy vendeve, ndërsa palët kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të trajtohet çështja e Mihailovës.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.