Kredia miliardëshe për Maqedoninë futet në hetim penal në Hungari
Një kredi prej 1 miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut, e miratuar nga “Eximbank” e Hungarisë, tashmë është pjesë e një hetimi penal për abuzime të dyshuara në bankën shtetërore hungareze. Hetimi përfshin katër raste të dyshuara për shp...
Një kredi prej 1 miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut, e miratuar nga “Eximbank” e Hungarisë, tashmë është pjesë e një hetimi penal për abuzime të dyshuara në bankën shtetërore hungareze.
Hetimi përfshin katër raste të dyshuara për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe punë të pakujdesshme, ndërsa autoritetet kanë nisur të mbledhin dokumentacionin e brendshëm të Ministrisë së Ekonomisë për të zbardhur mënyrën se si janë marrë vendimet.
Hetuesit kanë konfiskuar mijëra faqe dokumente, të cilat lidhen me një auditim të brendshëm të veprimtarisë së “Eximbank”. Dyshimet u raportuan në korrik nga Ministria e Ekonomisë.
Në qendër të vëmendjes është edhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut: 1 miliard euro kredi, me interes 3.25 për qind dhe garanci të plotë shtetërore.
Kryeministri hungarez Péter Magyar ka ngritur dyshime se fondet që në parim duhej të mbështesnin kompanitë hungareze mund të jenë përdorur për forcimin e një aleati politik jashtë Hungarisë, si dhe për interesa të kompanive të lidhura me qeverinë e mëparshme.
Çështja merr peshë edhe më të madhe politike për shkak të ndryshimit të pushtetit në Budapest. Magyar, pas fitores në zgjedhjet e prillit, i dha fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit dhe ka premtuar hetimin e rasteve që ai i konsideron pjesë të një sistemi të gjerë korrupsioni.
Nga ana tjetër, Orbán i ka mohuar akuzat.
Ndërkohë, “Eximbank” ende nuk ka dhënë koment lidhur me hetimin.
Kredia që në Shkup u prezantua si një instrument i madh financiar për ekonominë, tani përballet me një pikëpyetje të rëndë: jo vetëm si do të përdoren paratë, por edhe nëse vetë mekanizmi përmes të cilit u siguruan ato ka qenë i pastër. Gazeta Flaka
The post Kredia miliardëshe për Maqedoninë futet në hetim penal në Hungari appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.