Kronika e zezë në vend: Aksidente, drogë, dhunë dhe arrestime në disa qytete

Policia ka regjistruar një sërë incidentesh në disa qytete të vendit, përfshirë aksidente trafiku me persona të lënduar rëndë, arrestime për posedim të drogës, dhunë familjare, sulme ndaj zyrtarëve policorë dhe raste të tjera kriminale. ...

Nëntor 7, 2026 - 14:00
Kronika e zezë në vend: Aksidente, drogë, dhunë dhe arrestime në disa qytete

Policia ka regjistruar një sërë incidentesh në disa qytete të vendit, përfshirë aksidente trafiku me persona të lënduar rëndë, arrestime për posedim të drogës, dhunë familjare, sulme ndaj zyrtarëve policorë dhe raste të tjera kriminale.

Sipas njoftimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë datave 6 dhe 7 nëntor 2026 janë evidentuar disa ngjarje që po trajtohen nga organet kompetente.

Aksidente me të lënduar rëndë

Në rrugën ekspres Prilep–Gradsko, më 6 nëntor, rreth orës 20:40, një kamion tërheqës i markës „MAN“, me rimorkio dhe targa të Shkupit, është përplasur në rrethojën metalike mbrojtëse. Drejtuesi, 38-vjeçar nga fshati Stojakovo i Bogdancit, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Kavadarit.

Një tjetër aksident është regjistruar në rrugën „11 Tetori“ në Shkup, ku një 79-vjeçare është rrëzuar brenda një autobusi gjatë udhëtimit, duke pësuar lëndime të rënda trupore.

Në Shkup, lëndime të rënda ka pësuar edhe një 48-vjeçar që drejtonte trotinet elektrik. Ai është rrëzuar në shtegun e biçikletave nga bulevardi „Goce Dellçev“.

Ndërkaq, në rrugën „114“ në Tetovë, një çiklist 13-vjeçar ka dalë nga rruga dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Arrestime për drogë dhe substanca të dyshimta

Në lokacione të ndryshme të Shkupit, policia ka privuar nga liria dhjetë persona, përfshirë një të mitur 16-vjeçar. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë, si dhe substanca të ndryshme pluhurore dhe kokrrizore.

Në një rast tjetër, në fshatin Cërnik të Pehçevës, është arrestuar një 17-vjeçar nga Berova, tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe një send i mprehtë.

Ndërkohë, SPB Strumicë ka ngritur kallëzim penal kundër një 28-vjeçari nga Novo Sella, i dyshuar për kultivim të paautorizuar të kanabisit. Gjatë një bastisjeje të realizuar në shtator të vitit 2025, policia kishte zbuluar shtatë bimë kanabisi.

Kërcënime, dhunë dhe sulme

Policia ka ngritur kallëzim penal kundër një 46-vjeçari nga rajoni i Berovës, i dyshuar për mosrespektim të masave të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje, të shqiptuara nga gjykata për mbrojtjen e bashkëshortes së tij.

Në Kriva Pallankë, një 61-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht djalin e tij 12-vjeçar, ndërsa një 31-vjeçar nga i njëjti qytet dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 29-vjeçare.

Në një rast tjetër, një 28-vjeçar nga Gjevgjelia dyshohet se ka kërcënuar përmes një aplikacioni celular një person dhe ish-bashkëshorten e tij.

Në Shkup, një 61-vjeçar është kallëzuar penalisht për dy vepra penale, „dhunë“ dhe „rrezikim i sigurisë“. Sipas policisë, më 6 nëntor, në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, ai ka sulmuar fizikisht një 67-vjeçar dhe ka kërcënuar atë dhe avokaten e tij.

Gjithashtu, një grua 42-vjeçare ka denoncuar se djali i saj i mitur është sulmuar fizikisht nga një bashkëmoshatar në korridorin e një shkolle fillore në Komunën e Aerodromit. Sipas denoncimit, sulmi ka ndodhur me një send të fortë.

Kërcënoi punonjësit e një ambasade, dërgohet për observim psikiatrik

Një 37-vjeçar nga Radovishi është kallëzuar penalisht për rrezikimin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare. Sipas MPB-së, më 4 nëntor ai ka telefonuar në ambasadën e një shteti të huaj në vend dhe, në gjuhë të huaj, u ka drejtuar kërcënime serioze punonjësve.

Pas denoncimit, policia e ka gjetur dhe arrestuar të dyshuarin, i cili gjatë bisedës zyrtare e ka pranuar veprën. Me propozim të prokurorit publik, gjykata ka vendosur që ai të dërgohet për observim psikiatrik në një institucion përkatës shëndetësor.

Arrestime dhe raste të tjera

Në Tetovë, policia ka arrestuar një 35-vjeçar nga fshati Novo Sellë, ndaj të cilit kishte urdhra gjyqësorë për vuajtjen e dënimit me burg prej tetë vjetësh. Ai është dërguar në burgun e Idrizovës.

Në pikën kufitare Tabanoc, një 25-vjeçar nga Shkupi është arrestuar pasi gjatë kontrollit ka paraqitur patentë shoferi të falsifikuar sllovene.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, gjatë kontrollit të një 49-vjeçari nga Norvegjia, në bagazhin e tij të dorës është gjetur dhe sekuestruar një pjesë e armës së gjuetisë – mekanizmi mbyllës.

Në Tetovë dhe Kumanovë janë ngritur gjithashtu kallëzime penale ndaj dy personave të dyshuar për sulme ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në Shkup, një 18-vjeçar nga Koçani është arrestuar pas dyshimeve për vjedhjen e një trotineti elektrik. Më pas, ai vetë ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht, dyshohet nga pronari i trotinetit.

Policia njofton se për rastet në fjalë po ndërmerren masa dhe pas dokumentimit të plotë do të vijojnë procedurat përkatëse ligjore.

Gazeta Flaka – Kronikë

The post Kronika e zezë në vend: Aksidente, drogë, dhunë dhe arrestime në disa qytete appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.