Kryekomunarët nga VV-ja kundër protestës ndaj Qeverisë
Protesta e paralajmëruar e Asociacionit të Komunave të Kosovës është kritikuar nga kryetarët e komunave që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në reagime në Facebook, kundër protestës kanë dalë kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ai i ...
Protesta e paralajmëruar e Asociacionit të Komunave të Kosovës është kritikuar nga kryetarët e komunave që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në reagime në Facebook, kundër protestës kanë dalë kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ai i Gjilanit, Alban Hyseni. Të tre kanë fajësuar ish-qeverisjet për çështjen e kontratave kolektive që po u kushton miliona komunave.
Në një shkrim në Facebook, Peci ka thënë se protesta “e sotme e disa kryetarëve të komunave nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit”. Peci ka thënë se nisma ka agjendë politike dhe se për milionat për të cilët po protestohet janë obligime të ish-qeverisë PAN dhe jo të asaj Kurti.
“Jam kundër protestës së nxitur me agjendë politike. Komunikimi ndërinstitucional duhet të zgjidhet përmes dialogut. Kjo nismë që synon të krijohet si praktikë, ku disa kryetarë komunash paralajmëruan të marrin pjesë në një protestë kundër Qeverisë, ka agjendë tërësisht politike dhe nuk e avancon ngritjen e shërbimit ndaj qytetarit. Qindra milionat euro e barrës financiare të komunave nuk janë obligime të Qeverisë së Albin Kurtit, por janë obligime të qeverisë PAN”, ka shkruar Peci tutje.
Ndërkaq, Hyseni ka thënë se “Asociacioni i Komunave të Kosovës duhet të jetë zëri i të gjitha 38 komunave, jo një mekanizëm për përplasje politike me Qeverinë”.
Edhe Hyseni ka thënë se për kontrata kolektive pasojat janë nga nënshkrimet e ish-qeverive.
“Faktet flasin qartë: nga 546 milionë euro buxhet për komunat në vitin 2021, në vitin 2027 ky buxhet pritet të arrijë në 907 milionë euro. Pra, një rritje prej rreth 66%. Mjetet për komunat nuk janë zhdukur dhe as nuk janë “marrë” nga Qeveria, siç pretendohet nga Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi. Ato kthehen sërish te komunat përmes projekteve dhe investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Nëse flasim për dëmet financiare të komunave, atëherë duhet të flasim edhe për pasojat e kontratës kolektive të nënshkruar gjatë qeverive Mustafa dhe Haradinaj. Për këtë, zëri i Asociacionit ka munguar. Nëse Asociacioni është zëri i komunave, atëherë duhet të jetë zëri i të gjitha komunave. Jo zë selektiv. Jo presion politik. Jo protesta të instrumentalizuara. Komunat kanë nevojë për bashkëpunim institucional, jo për përplasje politike. Kosova ka nevojë për punë, investime dhe rezultate”, ka shkruar Hyseni.
Ndërkaq Bulliqi ka thënë se “Kosova ka nevojë për punë, bashkëpunim dhe zhvillim, jo për protesta pa kauzë”. “Interesat e komunave nuk mbrohen me dezinformim, alarm të rremë apo thirrje për protestë puro politike”, ka shkruar Bulliqi.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë sot me fillim prej orës 11 para ndërtesës së Qeverisë. Ky Asociacion ka bërë të ditur se përmes protestës do të kërkohet mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.