Kryeprokurori i Shtetit cakton prokurorët mbikëqyrës të punës së prokurorive

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë vendim për caktimin e prokurorëve të Zyrës së tij si mbikëqyrës të Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shte...

Nëntor 4, 2026 - 11:30
Kryeprokurori i Shtetit cakton prokurorët mbikëqyrës të punës së prokurorive

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë vendim për caktimin e prokurorëve të Zyrës së tij si mbikëqyrës të Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ky vendim ka si qëllim ngritjen e efikasitetit, zbatimit unik të praktikave dhe ligjshmërisë.

Prokurorët e caktuar, thuhet në vendim, do të jenë kompetentë për mbikëqyrjen e menaxhimit dhe efikasitetit të prokurorive përkatëse, si dhe për mbështetjen, këshillimin dhe monitorimin e prokurorive në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjithashtu, do të mbikëqyrin trajtimin e lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, gjithmonë duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.

Në njoftim thuhet se do të mbikëqyrin edhe identifikimin e sfidave dhe problematikave institucionale dhe adresimin e tyre, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve, si dhe pjesëmarrjen në kolegjiumet e prokurorive ku janë të caktuar si mbikëqyrës.

“Ky vendim ka për qëllim forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe fuqizimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm në funksion të përmbushjes së prioriteteve dhe objektivave të Prokurorit të Shtetit.”, thuhet në njoftim.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.