Kryetari i Fushë Kosovës u krekos se rruga ‘Dardania’ u përfundua katër muaj para afatit, por trotuaret ende të bllokuara!

Edhe 16 ditë pas njoftimit për përfundimin e punimeve në rrugën Dardania në Fushë Kosovë, materialet ndërtimore vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve. Më 16 tetor, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës njoftoi publikisht se rru...

tetor 28, 2026 - 21:30
Kryetari i Fushë Kosovës u krekos se rruga ‘Dardania’ u përfundua katër muaj para afatit, por trotuaret ende të bllokuara!

Edhe 16 ditë pas njoftimit për përfundimin e punimeve në rrugën Dardania në Fushë Kosovë, materialet ndërtimore vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve.

Më 16 tetor, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës njoftoi publikisht se rruga Dardania ishte përfunduar katër muaj para afatit të paraparë.

Postimi i kryetarit të Fushë Kosovës për përfundim të projektit

Megjithatë, pamjet e siguruara sot tregojnë se në trotuare ende gjenden paleta me kubëza betoni, të cilat pengojnë kalimin e lirë dhe të sigurt të qytetarëve.

Kjo gjendje ngre pikëpyetje nëse punimet janë përfunduar plotësisht apo nëse hapësira publike ka mbetur ende pa u liruar nga materialet ndërtimore, shkruan ORAinfo.

Pengesat në trotuar paraqesin vështirësi të veçanta për prindërit që lëvizin me karroca fëmijësh, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, të cilët detyrohen të përballen me vështirësi gjatë lëvizjes.

Përveç përfundimit të asfaltimit dhe vendosjes së kubëzave, një projekt infrastrukturore duhet të përfshijë edhe largimin e materialeve të mbetura, pastrimin e hapësirës dhe sigurimin e kushteve për qarkullim të papenguar të këmbësorëve.

Në këtë rast, mbetet e paqartë se përse materialet ndërtimore vazhdojnë të qëndrojnë në trotuar edhe pas më shumë se dy javësh nga njoftimi për përfundimin e punimeve.

Po ashtu, shtrohet pyetja se kush është përgjegjës për lirimin e hapësirës publike dhe nëse është bërë pranimi teknik i projektit.

Qytetarët presin që investimet publike të përfundojnë në tërësi dhe që trotuaret të jenë të qasshme e të sigurta për të gjithë, e jo vetëm që projektet të prezantohen si të përfunduara para afatit. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.