Kthesë e re në rastin e mazutit: Rihapet hetimi ndaj biznesmenëve Kapushevski dhe Jahoski

Hetimi për furnizimin me mazut të TEC Negotinës do të vazhdojë, pasi Prokuroria e Lartë Publike në Shkup ka pranuar ankesën e SHA ESM-së kundër vendimit për ndërprerjen e procedurës ndaj 13 personave fizikë dhe një personi juridik. Me vendi...

gusht 31, 2026 - 13:00
Kthesë e re në rastin e mazutit: Rihapet hetimi ndaj biznesmenëve Kapushevski dhe Jahoski

Hetimi për furnizimin me mazut të TEC Negotinës do të vazhdojë, pasi Prokuroria e Lartë Publike në Shkup ka pranuar ankesën e SHA ESM-së kundër vendimit për ndërprerjen e procedurës ndaj 13 personave fizikë dhe një personi juridik.

Me vendimin e ri, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është ngarkuar të vazhdojë hetimin për dyshimet për keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik dhe pastrim parash. Prokurori që e trajton rastin ka marrë edhe udhëzime shtesë për veprimet e mëtejshme.

Nga Prokuroria e Lartë Publike bëjnë të ditur se gjatë shqyrtimit të lëndës janë konstatuar mangësi në ekspertizat mbi të cilat prokurori i shkallës së parë e kishte bazuar vendimin për ndërprerjen e hetimit.

Për këtë arsye, është kërkuar që të përcaktohen sërish të gjitha veprimet individuale të personave nën hetim dhe të shqyrtohet nëse ndonjëri prej tyre, drejtpërdrejt ose përmes ndihmës, ka mundësuar përfitim të madh pasuror për një nga të dyshuarit dhe personin e tij juridik.

Në mënyrë të veçantë duhet të verifikohet nëse fondet që ESM-ja i kishte marrë nga buxheti i shtetit për një qëllim të caktuar janë keqpërdorur përmes zbatimit të bazës së posaçme ligjore të paraparë në nenin 23 të Ligjit për Prokurimet Publike.

Prokuroria e Lartë Publike ka ngarkuar Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të sigurojë të dhëna shtesë nga disa institucione dhe të urdhërojë ekspertiza të reja, me qëllim që të shqyrtohen në mënyrë të plotë të gjitha rrethanat dhe përgjegjësia eventuale penale.

Më herët, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e kishte ndërprerë hetimin pas rreth një viti, me arsyetimin se nuk ishin siguruar prova se personat nën hetim kishin kryer veprat penale për të cilat dyshoheshin, apo ndonjë vepër tjetër që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Në hetim ishin përfshirë 13 persona, ndër ta edhe biznesmenët Ratko Kapushevski, pronar i kompanisë RKM, dhe Asmir Jahoski, pronar i kompanisë Pucko Petrol. Të dy ishin ndër personat kryesorë të përfshirë në hetimin për furnizimin me mazut për TEC Negotinën.

Objekt i procedurës ishin furnizimet me mazut për TEC Negotinën gjatë krizës energjetike, dyshimet për lidhje të paligjshme të kontratave dhe anekseve, si dhe për pastrim parash.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më herët kishte deklaruar se procedurat ishin zhvilluar në kushtet e krizës së shpallur energjetike dhe në përputhje me përjashtimet e parashikuara me ligj. Sipas prokurorisë, ishin kontaktuar të gjithë operatorët me licencë për tregti me mazut dhe nuk ishte konstatuar dëm për ESM-në apo për buxhetin e shtetit.

ESM-ja, në cilësinë e personit juridik të dëmtuar, kishte paraqitur ankesë kundër këtij vendimi, e cila tashmë është pranuar.

Me vendimin e Prokurorisë së Lartë Publike, këto përfundime do t’i nënshtrohen sërish verifikimit, ndërsa hetimi për furnizimin me mazut praktikisht rikthehet në fazën aktive.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.