​Kuka: Për mua çdo medalje është e artë

Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka përmbyllur paraqitjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me pesë medalje, një të argjendtë dhe katër të bronzta. Pas përfundimit të garave, trajner Driton Kuka, në një intervistë për KosovaPress, ka vlerë...

gusht 30, 2026 - 17:00
​Kuka: Për mua çdo medalje është e artë

Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka përmbyllur paraqitjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me pesë medalje, një të argjendtë dhe katër të bronzta.

Pas përfundimit të garave, trajner Driton Kuka, në një intervistë për KosovaPress, ka vlerësuar lart paraqitjen e garuesve kosovarë, duke theksuar se niveli i konkurrencës në Taranto ishte shumë i mirë.

Kuka: Niveli i garuesve ishte shumë i mirë

“Në sportin e xhudos niveli ka qenë solid, minimumi i garuesve ka qenë nëntë, te meshkujt ka qenë numër pak më i madh. E keni parë në kategorinë e Akilit, Shpatit, Dardanit. Është dashur të fitohen tre-katër lufta për me arritur deri te medaljet. Dardani ka fituar tre luftëra, dy ka humbur, i ka pasur pesë luftëra. Kështu që jo të gjitha sportet e kanë nivelin e lartë, por askund nuk krahasohet me nivelin e garave elitare, sepse atje dihet që shkojnë së pari më të mirët e shteteve, e në anën tjetër numri është gjithmonë i konsiderueshëm”, theksoi fillimisht Kuka.

Kuka është shprehur i kënaqur me pesë medaljet e fituara nga xhudistët kosovarë, duke rikujtuar mungesën e kampiones olimpike Distria Krasniqi, e cila nuk garoi për shkak të një lëndimi.

Kuka: Jemi të përmbushur me medaljet që i fituam këtu

“Për mua çdo medalje është e artë. Këtë e them gjithmonë edhe do ta thëm gjithmonë. Shanse kanë pasur edhe garues të tjerë, por në mungesë të sportistes tonë më të mirë në vend, kampionës olimpike Distrisë, e cila ka një lëndim të vogël, është rezultat jashtëzakonisht i mirë. Ajo çka mua më pengon është që kurrë të mos iu bëhet presion sportistëve për ngjyrën e medaljes, jo për Kosovën, sepse është pak jofalënderuese edhe sjell presion të caktuar. Kështu që, garë e mirë. Në dy Lojërat e kaluara Mesdhetare kemi pasur katër medalje të arta, gjegjësisht Kosova në sportin e xhudos i ka gjashtë. Boksi e ka fituar medaljen e shtatë të artë në Lojërat Mesdhetare. Por tash kemi edhe pesë të tjera: një argjend e katër bronza, kështu që ne si federatë edhe si ekip jemi të përmbushur”, theksoi Kuka.

Megjithatë, trajneri i Kosovës ka theksuar se gjenerata e re ka përpara një sfidë të madhe për të arritur nivelin e gjeneratës së artë të xhudos kosovare, e cila i ka sjellë vendit tri medalje të arta olimpike.

Kuka: Vështirë të arrihet niveli i gjeneratës së artë të xhudisteve

“Të them të drejtën, duhet shumë punë. Për momentin ende s’janë në nivelin e gjeneratës së artë, me thënë Majlinda, Distria, Nora. A janë në rrugë të mirë? Po. A po vonohen? Po. Ka vonesa edhe këtë jua kam potencuar krejt kohën, sepse janë mësuar të qëndrojnë nën hijen e një gjenerate që nuk besoj që do të përsëritet në Kosovë ndonjëherë. Janë ndërtuar në Kosovë me punë në Kosovë tre medalje të arta olimpike. A do të arrihet diçka e tillë në të ardhmen? Shumë e vështirë… Për Majlindën, Fatosin, Nelin, me stërvitjen e trajnerëve që i kemi në ekip, është sfidë e madhe sepse standardin që e kam vënë me medaljet e arta olimpike është vështirë për ta ndjekur. A po punojmë ne atë drejtim? Po. S’po ndalemi kurrë, por realisht do të jetë shumë e vështirë. Është sfida ndoshta më e madhe jo veç për xhudon, por për krejt sportin e Kosovës.’, tha më tutje Kuka.

Në Taranto, një prej paraqitjeve më të spikatura nga sportistët kosovarë ishte ajo e boksieres Donjeta Sadiku, e cila fitoi medaljen e artë. Kuka e ka vlerësuar lart performancën e saj, duke e cilësuar suksesin si të rëndësishëm edhe në aspektin diplomatik.

Kuka: Donjeta Sadiku pati një performancë të jashtëzakonshme

“Ajo ka bërë, ka pasur një performancë të jashtëzakonshme, edhe pse numri i garuesve nuk ka qenë i madh, por cilësia ka qenë e madhe. I ka fituar tri luftëra edhe e përgëzoj Donjetën edhe trajneren e saj, Marjolën. Me të vërtetë kanë bërë një punë të mrekullueshme. Unë jam shumë i gëzuar edhe me fitoren që ka arritur në finale, edhe pse unë personalisht, për shkak të mundësisë të ngarkesës së sportistëve, nuk po kam shumë dëshirë me i dhënë rëndësi asaj se kush është kundërshtari i sportistëve tanë, sepse fqinji i jonë verior e ka sportin e jashtëzakonisht të zhvilluar. Ajo mundet me sjellë ndonjëherë edhe pak presion të theksuar për sportistët, por gjithsesi, siç e thashë në fillim, fitore e madhe edhe sportive, por edhe diplomatike. Mirë është që ata në sportet individuale po ndeshen me sportistët tanë, po e pranojnë realitetin, po e pranojnë shtetin e Kosovës, e neve në sport na mbetet të punojmë shumë që t’ua tregojmë vlerat që kemi vlera në sport, e sporti i xhudos është modeli më i mirë i mundshëm.”, u shpreh Kuka.

Me pesë medalje të fituara në Taranto 2026, xhudoja ka konfirmuar edhe një herë rolin e saj si një prej sporteve kryesore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.