Kur Kurti shpallet më i keq se pushtuesit: Deri ku mund të shkojë Baton Haxhiu?

Xhevdet Mazrekaj Kritika ndaj një kryeministri është legjitime. Por ta paraqesësh një qeveri të zgjedhur si më të keqe se regjimi që vrau fëmijë, dhunoi gra dhe dëboi qindra mijëra shqiptarë, nuk është më kritikë politike. “Nuk ka pushtues...

shtator 10, 2026 - 21:00
Kur Kurti shpallet më i keq se pushtuesit: Deri ku mund të shkojë Baton Haxhiu?

Xhevdet Mazrekaj

Kritika ndaj një kryeministri është legjitime. Por ta paraqesësh një qeveri të zgjedhur si më të keqe se regjimi që vrau fëmijë, dhunoi gra dhe dëboi qindra mijëra shqiptarë, nuk është më kritikë politike.

“Nuk ka pushtues që mund t’i ketë ba Kosovës ma keq se ky kryeministër”, deklaroi Baton Haxhiu në një debat televiziv, duke iu referuar Albin Kurtit.

Fjalia nuk u shqiptua me nxitim. Haxhiu foli ngadalë, me pauza dhe duke i ndarë fjalët njëra nga tjetra. Nuk mund të provohet vetëm nga mimika nëse deklarata ishte përgatitur paraprakisht, por mënyra e shqiptimit krijon përshtypjen e një mesazhi të menduar me kujdes.

Le ta përkthejmë këtë deklaratë në gjuhën e fakteve.

Regjimi i Sllobodan Millosheviqit u akuzua nga Tribunali i Hagës për një fushatë vrasjesh, përndjekjeje dhe deportimi kundër shqiptarëve të Kosovës. Rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan, mijëra civilë u vranë, ndërsa vendbanime të tëra u dogjën dhe u plaçkitën.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i publikuar në vitin 2000, citonte vlerësimet e organizatave vendore se ndërmjet 10 mijë dhe 20 mijë gra e vajza mund të ishin dhunuar seksualisht gjatë periudhës shkurt 1998–qershor 1999.

Në Poklek u vranë 53 civilë shqiptarë, prej tyre 24 fëmijë. Në Podujevë u vranë shtatë gra dhe shtatë fëmijë, të moshës nga dy deri në 15 vjeç. Në Mejë, ndër së paku 377 civilët shqiptarë të vrarë, 36 ishin nën moshën 18-vjeçare. Këto janë vetëm disa prej masakrave të shumta të kryera nga forcat serbe në Kosovë, viktima të të cilave ishin edhe foshnja, fëmijë, gra dhe të moshuar.

Këto nuk janë akuza partiake. Janë krime të dokumentuara nga institucione dhe organizata ndërkombëtare.

NATO nuk ndërhyri në Kosovë për shkak të ndonjë mosmarrëveshjeje të zakonshme politike. Sipas shpjegimit zyrtar të Aleancës, fushata ajrore filloi për ta ndalur katastrofën humanitare dhe politikën e spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit.

Pikërisht këtë regjim Baton Haxhiu e vendos poshtë Albin Kurtit në shkallën e dëmit ndaj Kosovës.

Çfarë ka bërë Kurti që mund të krahasohet me vrasjen e një fëmije dyvjeçar? Me 24 fëmijët e masakruar në Poklek? Me mijëra gra dhe vajza të dhunuara? Me qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre?

Asnjë gabim politik, asnjë dështim diplomatik dhe asnjë mandat qeverisës nuk mund të vendoset në të njëjtën peshore me këto krime—e aq më pak të shpallet më i rëndë se ato.

Deklarata e fundit nuk qëndron as e vetme. Në një debat të mëparshëm, Haxhiu kishte deklaruar se Kosova duhet t’i japë Serbisë “gjithçka që kërkon”, në mënyrë që ajo ta njohë Kosovën.

Të vendosura pranë njëra-tjetrës, këto dy deklarata krijojnë një vijë shqetësuese: Serbisë t’i jepet gjithçka që kërkon, ndërsa kryeministri i Kosovës të shpallet më i dëmshëm se çdo pushtues.

Albin Kurti mund dhe duhet të kritikohet për qeverisjen, diplomacinë dhe çdo vendim politik. Por një kryeministër i zgjedhur largohet me votë. Regjimi i Millosheviqit i largonte shqiptarët nga shtëpitë me armë.

Barazimi i këtyre dy realiteteve—madje paraqitja e të parit si më të keq—relativizon krimet e Serbisë dhe fyen kujtesën e viktimave. Objektivisht, një diskurs i tillë i shërben propagandës së Beogradit, pavarësisht se si përpiqet ta arsyetojë autori i tij.

Dhe tani qytetarët duhet të gjykojnë: Albin Kurtin, me të gjitha gabimet që mund t’i ketë, apo alternativat e preferuara nga Baton Haxhiu, për të cilat merita kryesore qenka vetëm se “nuk janë pushtues”?


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.