Kur manipulohen edhe notat në universitet: Bastisje në Shtip dhe Shkup për dyshime për shitblerje pikësh dhe diplomash

Universiteti, që duhet të jetë vendi ku vlerësohen dija, merita dhe puna akademike, është vënë në qendër të një hetimi policor për dyshime serioze për manipulim të rezultateve të provimeve dhe evidencës së studentëve. Në shënjestër të hetim...

Nëntor 3, 2026 - 12:00
Kur manipulohen edhe notat në universitet: Bastisje në Shtip dhe Shkup për dyshime për shitblerje pikësh dhe diplomash

Universiteti, që duhet të jetë vendi ku vlerësohen dija, merita dhe puna akademike, është vënë në qendër të një hetimi policor për dyshime serioze për manipulim të rezultateve të provimeve dhe evidencës së studentëve. Në shënjestër të hetimit është një udhëheqës i Sektorit të Informatikës në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.

Policia ka zhvilluar bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, pas dyshimeve se sistemi elektronik universitar është përdorur për ndryshimin e rezultateve akademike, fshirjen e notave dhe mundësimin e avancimit të studentëve pa përmbushur kriteret e përcaktuara.

Sipas dyshimeve fillestare, ndërhyrjet në sistem janë kryer në këmbim të parave, ndërsa një pjesë e rasteve lidhen me studentë nga Turqia.

Në fokus është R.T., udhëheqës i Sektorit të Informatikës në Universitetin “Goce Dellçev”, i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, si dhe për dëmtim dhe hyrje të paautorizuar në sistemin kompjuterik.

Ajo që e bën rastin veçanërisht shqetësues është dyshimi se personi që kishte qasje dhe përgjegjësi për administrimin e sistemit informatik të universitetit mund ta ketë përdorur këtë pozitë për të ndërhyrë në vetë procesin e vlerësimit akademik.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të gatshme. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur shuma dhe as nëse ekziston lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet parave dhe veprimeve që po hetohen.

Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se aksioni është realizuar me urdhër gjykate, të siguruar përmes Prokurorisë Themelore Publike në Shtip, me pjesëmarrjen e Departamentit të Policisë Kriminalistike, SPB-së së Shtipit, SPB-së së Shkupit dhe Sektorit për Krim Kompjuterik.

„Me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip, po kryhen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në lidhje me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar’ dhe ‘dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik’, të dyshuara se janë kryer nga R.T., udhëheqës i Sektorit të Informatikës në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip“, njofton MPB-ja.

Institucioni ka paralajmëruar se informatat shtesë do të publikohen pas përfundimit të aksionit.

Kur nota bëhet çështje pazari

Rasti hap një debat më të gjerë për sigurinë e sistemeve universitare dhe mekanizmat e kontrollit të evidencës akademike. Nëse dyshimet konfirmohen, nuk do të bëhej fjalë vetëm për një keqpërdorim individual, por për një cenim të besueshmërisë së procesit të arsimit të lartë.

Ndryshimi i një note apo regjistrimi i një semestri pa plotësuar kushtet nuk është thjesht shkelje administrative. Ai mund të ndikojë në vlefshmërinë e diplomave, konkurrencën ndërmjet studentëve dhe besimin e institucioneve e punëdhënësve në kualifikimet universitare.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë sa studentë mund të jenë përfshirë, sa kohë kanë zgjatur ndërhyrjet, nëse ekzistojnë persona të tjerë të përfshirë dhe nëse diplomat apo rezultatet e ndryshuara kanë prodhuar tashmë pasoja konkrete.

Sepse universiteti nuk mund të jetë vend ku njohuritë zëvendësohen me pagesa dhe ku qasja në sistemin elektronik mund të kthehet në privilegj për të manipuluar suksesin akademik.

Deri në përfundimin e hetimit, bëhet fjalë për dyshime dhe përgjegjësia penale e personave të përfshirë duhet të vërtetohet nga institucionet kompetente. Gazeta Flaka

The post Kur manipulohen edhe notat në universitet: Bastisje në Shtip dhe Shkup për dyshime për shitblerje pikësh dhe diplomash appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.