Kurti kërkon që “Bondsteel” të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon.Ai...

shtator 23, 2026 - 14:00
Kurti kërkon që “Bondsteel” të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon.Ai e ka bërë këtë kërkesë gjatë një takimi në New York me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Postimi i plotë:

Kënaqësi të takohem në New York me kongresistin George Latimer, një zë i fuqishëm dhe i rëndësishëm në mbështetje të Kosovës, veçanërisht për anëtarësimin e Republikës sonë në NATO.

Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon.

Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera. E sikurse në takimet tjera folëm për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në prag të trevjetorit të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.