Kurti – kongresistit amerikan për vendimin e Speciales: Ka pasaktësi dhe gabime ligjore, duhet korrigjuar në Apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawle. Gjatë takimit me Lawle, Kurti ka diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër is...

shtator 21, 2026 - 09:30
Kurti – kongresistit amerikan për vendimin e Speciales: Ka pasaktësi dhe gabime ligjore, duhet korrigjuar në Apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawle.

Gjatë takimit me Lawle, Kurti ka diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore.

Ai theksoi se pretendimet për trafikim organesh, të përfshira në raportin e Dick Marty-t, nuk u përfshinë në aktakuzë nga Prokuroria.

“Vendimi injoroi pretendimet fyese dhe të pabesueshme për trafikimin e organeve të raportit të Dick Marty-t, të cilat ishin aq të pabesueshme sa që nuk u ngarkuan as nga Prokuroria”, tha Kurti.

Sipas tij, Gjykata Speciale gjithashtu ka rrëzuar akuzat për krime kundër njerëzimit.

“Ajo gjithashtu hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit”, u shpreh Kurti.

Megjithatë, Kurti vlerësoi se gjetjet e tjera të aktgjykimit duhet të kundërshtohen në procedurën e Apelit.

“Gjetjet e mbetura, megjithatë, u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”, deklaroi ai.

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të ankimohet dhe procesi gjyqësor vazhdon në procedurat e apelit.

Në takimin me Lawler, Kurti ka diskutuar edhe për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, investimet dhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në takim ka marrë pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.