Kurti: Më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stade të hershme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në stadet e hershme, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe qasjes së lehtë në shërbimet shëndetësore. Kurt...


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në stadet e hershme, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe qasjes së lehtë në shërbimet shëndetësore.
Kurti këto deklarata i bëri në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me temën “Përtej Tetorit Rozë – Së bashku për shëndetin”, ku u përmbyllën aktivitetet e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Ai tha se ndërgjegjësimi për këtë sëmundje nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por të shndërrohet në një kulturë të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik.
“Përveç mesazhit ndërgjegjësues e përtej tetorit rozë, bashkërisht synojmë nxitjen e një kulture të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik, për shëndetin e secilit, duke inkurajuar njëri-tjetrin që të mos e shtyjmë kontrollin. Më lejoni të shpreh mirënjohjen veçanërisht për të gjithë profesionistët shëndetësorë, ata që nuk janë në këtë sallë e janë aq të shumtë, pastaj stafin mjekësor, organizatat e institucionet, ndërmarrjet publike dhe private, pra të gjithë ata të cilët në forma të ndryshme, por për qëllimin e njëjtë angazhohen për ta çuar këtë mesazh te sa më shumë gra”, ka thënë ai.
“Ky është një angazhim i përbashkët, i cili kërkon edhe vazhdimësi, po edhe përgjegjësi nga të gjithë ne. Detyra jonë është ta shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit, mes diagnosës dhe trajtimit, mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj. Kjo punë nis me ndërgjegjësimin, pra me fushatat që organizon Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pastaj me punën e organizatave dhe kontributin e ndërmarrjeve publike e private. Faleminderit të gjithëve për thirrjen për kontroll që e çoni te sa më shumë gra. Ky angazhim gjithsesi edhe po i sjell rezultatet e veta. Sot, më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stade të hershme, 1 dhe 2, kur ende janë lehtësisht të trajtueshëm. Në këtë drejtim, mamografia tashmë ofrohet falas gjatë gjithë këtij viti. Gjatë tetorit, mamografi mobil udhëton nëpër qytetet e Kosovës për ta sjellë shërbimin edhe më afër grave. Për pacientët që kanë nevojë për trajtim në onkologji janë përmirësuar edhe kushtet, edhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit. Gjithashtu ofrohet edhe rekonstruktimi i gjirit falas dhe pa pritje”, tha Kurti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.