KURTI NË SHBA, NDERON LUFTËTARËT E LIRISË, VËLLEZËRIT BYTYQI!
Shkruan:Albin Kurti Bashkë me familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe me kolegë e bashkëpunëtorë, në New York bëmë homazhe në kujtim të Yllit, Agronit e Mehmet...
Shkruan:Albin Kurti
Bashkë me familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe me kolegë e bashkëpunëtorë, në New York bëmë homazhe në kujtim të Yllit, Agronit e Mehmetit, vëllezërve, luftëtarëve të lirisë nga Batalioni Atlantiku, qytetarëve amerikanë dhe dëshmorëve të kombit shqiptar.
Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë. Në sakrificën e tyre nderojmë edhe mërgatën tonë në Amerikë, breza shqiptarësh që, edhe larg atdheut, i qëndruan pranë Kosovës dhe i dolën zot asaj kur kishte më së shumti nevojë.
Një histori që të tronditë secilën herë që e dëgjojmë a ridëgjojmë. Në bisedë, Iliri foli për burgosjen e tre vëllezërve të tij, transferimin e tyre për t’u torturuar dhe shpërfytyrimin e trupave të tyre me plumba, me qëllim që të fshiheshin gjurmët. Trupat e tyre më pas u hodhën në varre masive.
Rasti i vëllezërve Bytyqi dëshmon për krimet e kryera nga forcat shtetërore serbe, por edhe për drejtësinë që, 27 vjet më pas, ende mungon. Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi.
Prandaj, bashkë me shtetin amerikan, do të vazhdojmë ta kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmetin.
Lavdi vëllezërve Bytyqi!
Mirënjohje të përhershme Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mërgatës sonë, që në ditët më të vështira qëndruan krah Kosovës.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.