Kurti paralajmëron ndërtimin e pesë digave të reja në Kosovë, zhvillimi rural në fokus
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë për Kosovën, duke theksuar nevojën për transformimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit vendor. Kurti i bëri këto deklarata në Konferencën XXII të Rrjet...


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë për Kosovën, duke theksuar nevojën për transformimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit vendor.
Kurti i bëri këto deklarata në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, me temë “Zonat rurale reziliente dhe sistemet ushqimore të qëndrueshme: qeverisja, kornizat e politikave dhe sfidat strukturore”, e organizuar nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM) dhe Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural.
“Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike. Prandaj, synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim bujqësinë, por edhe ta transformojmë atë. Ne kemi tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor. Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike. Prandaj, synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim bujqësinë, por edhe ta transformojmë atë”, tha Kurti.
Ai tha se Qeveria po investon në bujqësi dhe zhvillim rural, duke përmendur mbështetjen për fermerët dhe sipërmarrësit e rinj, gratë në zonat rurale, si dhe investimet në ujitje, shëndetin e tokës, përpunim dhe magazinim.
“Duam të investojmë në ujë dhe ujitje, në shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit, në mënyrë që fermerët tanë t’i shtojnë vlerë prodhimeve të tyre, në vend që të eksportojnë produkte të papërpunuara dhe të importojnë produkte të gatshme”, tha kryeministri.
Kurti përmendi edhe planin për ndërtimin e pesë digave të reja në Kosovë, si dhe mbrojtjen e tokës bujqësore dhe forcimin e lidhjeve mes fermerëve, industrisë dhe konsumatorëve.
Sipas tij, siguria ushqimore duhet të jetë një nga prioritetet, ndërsa prodhimi vendor e cilësoi si çështje ekonomike dhe strategjike, sidomos pas krizave të fundit që kanë ndikuar në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për integrimin evropian të Kosovës dhe rëndësinë e Kornizës së ardhshme Financiare Shumëvjeçare të BE-së për periudhën 2028–2034.
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, tha Kurti, duke shtuar se mënyra se si BE-ja do ta hartojë buxhetin e ardhshëm dhe do t’i mbështesë vendet kandidate do të ndikojë edhe në gatishmërinë e fermerëve dhe institucioneve të Kosovës.
Kurti theksoi gjithashtu nevojën për zhvillimin e zonave rurale përtej bujqësisë, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, lidhjet digjitale dhe mundësitë e punësimit.
“Nuk do të ketë Kosovë më të zhvilluar pa fshat më të zhvilluar. Nuk do të ketë ekonomi më të fortë pa bujqësi më produktive”, tha ai.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.