Kurti pas propozimit të ri: Na duhet një ndërmjetësim me Hamzën, me Glaukun e Feriden e kryej vetë
Edhe pak orë kanë mbetur deri në skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media me një propozim të ri për kreun e PDK-së, Bedri Hamza. Kurti i ka propozuar PDK-...


Edhe pak orë kanë mbetur deri në skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media me një propozim të ri për kreun e PDK-së, Bedri Hamza.
Kurti i ka propozuar PDK-së dy emra për presidentë, Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin.
Kurti ka thënë se, në pamundësi për ta takuar Hamzën, ai duhet të dalë publikisht dhe të deklarojë se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë dhe do të votojë në zgjedhjen e presidentit.
Ai ka propozuar që, pas një zotimi të tillë nga PDK-ja, deputetët e Vetëvendosjes ta votojnë në lexim të dytë projektligjin për Dhomat e Specializuara.
“Meqë nuk po mund ta takoj kryetarin Hamza, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi i PDK-së merr pjesë dhe voton në zgjedhjen e presidentit. Pas zotimit të tyre, ne ua votojmë leximin e dytë të projektligjit”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, nëse PDK-ja konsideron se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh, atëherë projektligji mund të votohet paraprakisht dhe menjëherë të thirret një seancë e Kuvendit me dy pika të rendit të ditës, votimin e projektligjit për specialen dhe pastaj zgjedhjen e presidentit të ri.
Kurti ka kërkuar që Hamza të dalë publikisht dhe të deklarojë se deputetët e PDK-së do të votojnë për njërin prej kandidatëve, Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin.
“Pres që Hamza, që nuk po arrij ta takoj, të dalë publikisht, siç po bëj unë, dhe të thotë se grupi i tij voton sonte për presidentin, për Glaukun ose Feriden. Pas një deklarimi të tij, ne i marrim 40 nënshkrime dhe seancën me dy pika të rendit të ditës”, ka thënë Kurti.
Në fund, Kurti u ka bërë thirrje gazetarëve që pas konferencës të mos i kontaktojnë kandidatët për president, Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, por ta pyesin Bedri Hamzën për propozimin e tij.
“Më lejoni të iu lus që pas kësaj konference mos mi thirrni Glaukun dhe Feriden, por ma pyesni Bedri Hamzën çka mendon për propozimin e ri, të kryeministrit e subjektit fitues. Me Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin nuk keni nevojë të flisni. Ju duhet të flisni me Bedri Hamzën. Neve na duhet një ndërmjetësues me Bedri Hamzën, jo me Glaukun dhe Feriden. Me ata e kryej vetë”, ka deklaruar Kurti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.