Kurti: PDK’së i nevojitet vota jonë për nënkryetarin, neve e tyrja për Presidentin, të takohemi me Hamzën

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës ku partia e tij refuzoi të jepte votë pro të propozuarës së PDK’së për nënkryetare, Vlora Çitaku, ndërsa ka refuzuar po ashtu edhe të propozuarin e...

shtator 11, 2026 - 19:30
Kurti: PDK’së i nevojitet vota jonë për nënkryetarin, neve e tyrja për Presidentin, të takohemi me Hamzën

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës ku partia e tij refuzoi të jepte votë pro të propozuarës së PDK’së për nënkryetare, Vlora Çitaku, ndërsa ka refuzuar po ashtu edhe të propozuarin e LDK’së, Kujtim Shala.

Seanca u ndërpre dy herë pa arritur të konstituohet Kuvendi.

Kurti tha se duhet një takim me kryetarin e PDK’së, Bedri Hamza, për të folur për emër të pranueshëm për Vetëvendosjen për nënkryetarin që i takon PDK’së, ndërsa tha se Vetëvendosjes i duhen votat për ose kundër për Presidentin.

“Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk më është përgjigjur në mesazh për takim, por këtë e ka bërë publikisht duke thënë që s’kemi nevojë për takim. Unë besoj që kemi nevojë për takim. Partisë Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e saj i nevojiten votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nevojitet mungesa e bojkotit apo edhe vota kundër e PDK’së, atyre iu nevojitet vota e jonë për, neve na kryen punë edhe vota e tyre kundër. Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi. Kjo nuk ndodhi. Shpresojmë që të dielën të jetë ndryshe dhe të arrijmë të konstituojmë”.

Pse jeni kundër Citakut?, u pyet Kurti.

“Ju e dini që vitin e kaluar Vlora Çitaku pat kërkuar që Albulena Haxhiu të tërhiqet, sivjet pati kërkuar që zonja Feride Rushiti të tërhiqet, pardje Vlora Çitaku e bojkotoi votimin e Albulena Haxhiut për kryetare dhe njëkohësisht ka paralajmëruar bojkotin për zgjedhjen e Presidentit”.

Ai më pas tha se “me doemos një deputet të PDK’së do ta votojmë për nënkryetar” dhe njëjtë edhe për LDK’në.

Këtu Kurti iu referua disa aktgjykimeve të Kushtetueses që s’duhet të jetë “emri unik” i këtyre pozitave.

“Ashtu siç kemi qenë ne konstruktivë vitin e kaluar, të jenë edhe të tjerët, por më së miri të sqaroheshin në takime të përbashkëta. Në një takim timin me Bedri Hamzën do ta sqaronim se cilët deputetë të PDK’së do të mund të votoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje. Nuk kam dërguar ende ftesa, po dua që të takohemi e të bisedojmë që t’i diskutojmë emrat. Sot kemi braktisje të konstituimit të Kuvendit. Më herët thoshin se e kanë me urgjencë se duhet të hymë në seancë dhe të mos dalim deri ta kryejmë konstituimin. Nuk është tepër vonë nëse e bëjmë këtë të dielën”.

Sidoqoftë, vitin e kaluar Lëvizja Vetëvendosje kishte insistuar për emrin e Albulena Haxhiut kryeparlamentare me dhjetëra seanca derisa kishte ndërruar kandidatin vetëm pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte vendosur që vetëm deri në tri herë ka të drejtë të propozohet një emër.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.