Kurti thirrje shqiptarëve të Luginës: Nesër dilni në votime, vendosni për të ardhmen tuaj!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në prag të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke i ftuar që nesër të dalin në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demok...
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në prag të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke i ftuar që nesër të dalin në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. Në postimin e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e këtij institucioni për përfaqësimin dhe ruajtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Luginë.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,
Nesër, më 8 nëntor, 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Katër lista zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë, garojnë për 29 vende në këtë institucion përfaqësues.
Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022. Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka autorizime publike në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës e shkrimit shqip. Nga shkolla shqipe e tekstet mësimore, te institucionet kulturore, mediat në gjuhën shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar.
Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Me tekste mësimore, bursa për nxënës e studentë, mbështetje për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj.
Për të drejta të barabarta dhe për të ardhmen në vendlindje!
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.