Kurti viziton familjet e “Grupit të Intelektualëve”: Serbisë t’i bëhet trysni ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjet e dy pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”, Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj. Përmes në postimi në Facebook, ai tha se familjet që tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e familjarëve ...


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjet e dy pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”, Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj.
Përmes në postimi në Facebook, ai tha se familjet që tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e familjarëve të tyre, kanë nevojë për drejtësi.
Ai tha se trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbyll dhe klasifikon dosjet është e domosdoshme duke e cilësuar si të vetmen mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë për t’i dhënë shans drejtësisë.
Postimi i plotë:
Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosuara të Serbisë në prill të vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok dhe të cilët u identifikuan javë më parë nëpërmjet ADN-së. Këto dy familje, sikur ajo e Adem Beqirit i cili u varros më 3 tetor, kanë marrë përgjigje por kanë nevojë për drejtësi.
Për më të dashurit e më shumë se 1500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbron e glorifikon kriminelët, fsheh e mohon krimet, sikurse mbyll e klasifikon dosjet, teksa vazhdon me mendësinë e viteve të ’90-ta, përveçse e domosdoshme, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe për t’i dhënë shans drejtësisë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.