Kush janë Huthët dhe pse goditën Riadin, rebelët e Jemenit sfidojnë Arabinë me raketa e dronë, rihapet fronti më i rrezikshëm i luftës
Dhjetëra të vdekur dhe mbi treqind të plagosur, ky është bilanci i sulmit ndaj aeroportit të Riadit, të kryer në fundjavë nga rebelët Houthi. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton në Jemen, e ka cilësuar sulmin një “krim të m...
Dhjetëra të vdekur dhe mbi treqind të plagosur, ky është bilanci i sulmit ndaj aeroportit të Riadit, të kryer në fundjavë nga rebelët Houthi. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton në Jemen, e ka cilësuar sulmin një “krim të mirëfilltë lufte”. Zëdhënësi i tij, gjeneralmajor Turki al-Malki, deklaroi se koalicioni “do t’i përgjigjet me vendosmëri këtij sulmi terrorist, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare zakonore”.
Fronti përfshihet sërish nga flakët
Pas ofensivës kundër Riadit ndërthuren kontrolli i rrugëve të transportit të naftës, rivaliteti me Arabinë Saudite dhe lufta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Por Houthit nuk janë thjesht përfaqësues të Iranit apo një gur shahu në duart e tij: ata kanë axhendën e tyre politike dhe territoriale, e cila rrezikon ta zhysë Gjirin Persik në një humnerë edhe më të thellë. Sulmi ndaj Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid është sinjali se një nga frontet më të paqëndrueshme të Lindjes së Mesme është përfshirë sërish nga flakët.
Zgjedhja e objektivit ishte menduar mirë. Goditja e një prej nyjeve kryesore të aviacionit saudit do të thotë të vihet në pikëpyetje aftësia e Riadit për të garantuar sigurinë e territorit të tij, të dëmtohen lidhjet ndërkombëtare dhe të krijohet një imazh paqëndrueshmërie në zemër të mbretërisë, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo politike.
Ofensiva erdhi gjithashtu në prag të takimeve të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar energjisë dhe investimeve, pikërisht në një kohë kur Arabia Saudite po përpiqet të konsolidojë synimin e saj për t’u shndërruar në një fuqi rajonale të qëndrueshme dhe tërheqëse për kapitalin e huaj.
Origjina e lëvizjes
Për të kuptuar se çfarë fshihet pas sulmit ndaj Riadit, duhet të kthehemi te origjina e Ansar Allah, lëvizjes politike, fetare dhe ushtarake të njohur gjerësisht si Houthi, sipas emrit të familjes që udhëhoqi ngritjen e saj. E lindur në Jemenin verior, kjo lëvizje i ka rrënjët te zaidizmi, një rrymë e islamit shiit, e përhapur historikisht në rajonet malore përgjatë kufirit me Arabinë Saudite. Megjithatë, historia e saj nuk mund të reduktohet në mënyrë të thjeshtë te rivaliteti i kahershëm fetar mes shiitëve dhe sunitëve.
Houthit u afirmuan si një lëvizje kundërshtare e pushtetit qendror jemenas, duke denoncuar margjinalizimin politik dhe ekonomik të rajoneve veriore, si dhe ndikimin në rritje të aktorëve të huaj në vend. Gjatë viteve 2000, përplasja me qeverinë e Sanaas u shndërrua në një seri konfliktesh të armatosura, duke kontribuar në militarizimin gradual të lëvizjes. Kthesa erdhi me Pranverën Arabe të vitit 2011 dhe dobësimin e mëvonshëm të institucioneve jemenase.
Duke përfituar nga fragmentimi politik dhe ushtarak, në vitin 2014 Houthit pushtuan me forcë dhe terror kryeqytetin Sana, duke zgjeruar gradualisht kontrollin e tyre mbi pjesë të mëdha të territorit kombëtar. Një vit më pas, Arabia Saudite ndërhyri në krye të një koalicioni ushtarak arab për të mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe për të ndaluar përparimin e rebelëve.
Më të pavarurit mes përfaqësuesve të Iranit
Por, Për të kuptuar përplasjet e ndërlikuara në këtë pjesë të botës, do të ishte çorientuese t’i konsideronim Houthit thjesht si një zgjatim të Gardës Revolucionare iraniane, Pasdaranëve. Ata ruajnë një autonomi të tyren strategjike dhe ndjekin objektiva të lidhura ngushtë me ekuilibrat e brendshëm të Jemenit. Ndryshe nga Hezbollahu dhe përfaqësues të tjerë të Iranit, si disa milici irakiane, tradita e tyre fetare nuk nënkupton të njëjtën marrëdhënie nënshtrimi ndaj autoritetit suprem iranian.
Mbështetja e Teheranit mbetet thelbësore, por nuk i zhduk interesat specifike të grupit. Ky kombinim vdekjeprurës i rrënjëve të forta territoriale, kapaciteteve ushtarake dhe lidhjeve ndërkombëtare i bën Houthit një aktor të fuqishëm, ndonëse me përmasa të vogla, por veçanërisht të vështirë për t’u neutralizuar.
Grupi ka arritur të përdorë raketa balistike dhe dronë kundër infrastrukturës së naftës, aeroporteve dhe objektivave strategjike saudite dhe emiratase. Kështu, fuqia e tij ka kaluar nga kontrolli “i thjeshtë” i një pjese të Jemenit në aftësinë për të shkaktuar dëme vdekjeprurëse dhe për të ushtruar efekt frenues ndaj gjigantëve të rajonit.
Edhe Uashingtoni përballet me një zgjedhje të ndërlikuar. Një ndërhyrje e drejtpërdrejtë kundër Houthive mund të forconte mbrojtjen saudite, por do të rrezikonte ta zgjeronte edhe më tej një konflikt që tashmë është shtrirë në disa fronte. Nga ana e saj, Arabia Saudite po kërkon mbështetje edhe nga Pakistani dhe Turqia, ndërsa presioni mbi kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore nxjerr në pah vështirësitë për t’u përballur me sulmet e përsëritura me raketa dhe dronë.
Përtej aftësive të Houthive për të goditur kundërshtarët, në fund shtrohet pyetja se për sa kohë Arabia Saudite mund të përballojë një fushatë të re ushtarake pa cenuar sigurinë e saj të brendshme. Pas më shumë se dhjetë vitesh bombardimesh, lëvizja ka dëshmuar se mund të mbijetojë përballë epërsisë ushtarake të kundërshtarëve të saj.
The post Kush janë Huthët dhe pse goditën Riadin, rebelët e Jemenit sfidojnë Arabinë me raketa e dronë, rihapet fronti më i rrezikshëm i luftës appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.