Kush po e ‘përzien’ çmimin e ajvarit në Maqedoni?”
Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka kryer kontrolle në më shumë se 30 qendra grumbulluese të produkteve bujqësore dhe hortikulturore në disa komuna të vendit. Kontrollet janë zhvillua...
Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka kryer kontrolle në më shumë se 30 qendra grumbulluese të produkteve bujqësore dhe hortikulturore në disa komuna të vendit.
Kontrollet janë zhvilluar në qendrat grumbulluese në territorin e komunave Gjevgjeli, Strumicë, Krivogashtan dhe Resnjë, ndërsa në fokus kanë qenë, ndër të tjera, edhe grumbullimi i specave dhe mollëve.
Sipas Komisionit, kontrollet janë realizuar përmes inspektimeve të drejtpërdrejta, si dhe mbledhjes së të dhënave dhe dokumentacionit nga qendrat grumbulluese.
Qëllimi ka qenë të përcaktohet mënyra e formimit të çmimeve të blerjes, kushtet në të cilat realizohet grumbullimi i produkteve, si dhe mënyra se si qendrat grumbulluese i përcaktojnë dhe ndryshojnë çmimet.
Janë konstatuar indicie për shkelje
Nga përpunimi i deritanishëm i të dhënave dhe dokumentacionit të mbledhur, Komisioni thotë se janë evidentuar indikacione që mund të tregojnë shkelje të rregullave që janë në kompetencë të këtij institucioni.
“Gjatë përpunimit të deritanishëm të të dhënave dhe dokumentacionit të mbledhur janë konstatuar indikacione të caktuara që tregojnë për shkelje të mundshme të dispozitave në kompetencë të Komisionit”, thuhet në njoftim.
Nga Komisioni bëjnë të ditur se në periudhën e ardhshme do të vazhdojë analiza dhe verifikimi i detajuar i të dhënave dhe dokumentacionit të mbledhur.
Pas përcaktimit të fakteve dhe në përputhje me kompetencat ligjore, institucioni paralajmëron marrjen e masave përkatëse.
Komisioni thekson se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë aktive në të gjitha rastet ku ekzistojnë indicie për cenim të rregullave të konkurrencës, me synim sigurimin e kushteve të barabarta për konkurrencë në treg dhe mbrojtjen e interesave të të gjithë pjesëmarrësve në treg.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.