Kushtet e PDK-së për Specialen, LVV i përgjigjet

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme t’i tërheqë lëndët e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, nëse Lëvizja Vetëvendosje zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin për ndryshimin...

shtator 21, 2026 - 22:00
Kushtet e PDK-së për Specialen, LVV i përgjigjet

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme t’i tërheqë lëndët e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, nëse Lëvizja Vetëvendosje zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Çitaku ka shkruar se një zotim i tillë publik nga VV-ja do të ishte kusht për tërheqjen e lëndëve nga Gjykata Kushtetuese.

Postimi i plotë:

Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër.

VV-ja i kthen përgjigjen PDK-së për nismën ligjore lidhur me Specialen në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer një përgjigje PDK-së, lidhur me nismën e tyre për Projektligjin e Gjykatës Speciale në Kuvend.

Njoftimi i plotë:

1. Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr.

Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij. 2.

Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara.

Duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet me kujdes edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast. 3.

Vlerësojmë se në këtë fazë është më e rëndësishme të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në analizë të plotë juridike.

Çdo veprim duhet të ndërmerret vetëm pasi të jenë vlerësuar me kujdes pasojat e tij të mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën në shkallë të dytë, përkatësisht procedurën e apelit.

Qëllimi duhet të jetë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.