“Ky është vetëm fillimi!” – Bytyçi kërkon zbardhjen e rrjetit pas aktakuzës ndaj Shehollit – përmend Milaim Zekën

Profesori Bytyçi kërkon hetim të thelluar pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar për dy vepra penale, “spiunazh” dhe “shantazh”. Sipas aktakuzës, Sheholli ...

gusht 29, 2026 - 11:00
“Ky është vetëm fillimi!” – Bytyçi kërkon zbardhjen e rrjetit pas aktakuzës ndaj Shehollit – përmend Milaim Zekën

Profesori Bytyçi kërkon hetim të thelluar pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar për dy vepra penale, “spiunazh” dhe “shantazh”. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ndërsa në një rast tjetër akuzohet se ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.

Por përtej rastit konkret, aktakuza ndaj Shehollit ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për veprimtarinë e strukturave të sigurisë së Serbisë në Kosovë, mënyrën e përhapjes së narrativave proserbe dhe ndikimin që ato mund të kenë pasur në hapësirën politike e mediatike shqiptare.

Në lidhje me këtë zhvillim, për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi, i cili e konsideron rastin e Fatmir Shehollit si një zhvillim që duhet të pasohet nga hetime shumë më të thelluara.

Sipas tij, aktakuza ndaj Shehollit nuk duhet të shihet vetëm si një rast individual, por si mundësi për të zbardhur mënyrën se si funksionon rrjeti i spiunazhit dhe ndikimit serb në Kosovë.

“Rasti i Fatmir Shehollit si eksponent i spiunazhit serb në Kosovë ishte i pritshëm. Rastësisht pashë në TV, në një emision në Kosovë, një video, ku Sheholli kishte dërguar një meme të sigurimit serb për kinse ‘rekrutimin e Kurtit nga BIA’! Duhet hetuar ai rast nga prokuroria dhe hetuesia. Si erdhi deri në ekran të TV-ve të Kosovës një akt i inskenuar diversion kundër kryeministrit të Kosovës? Duhet hetuar pse Sheholli në intervistë thoshte se ‘është çudi që Kurti u lirua me urdhër të Koshtunicës’! Nga ajo intervistë nxirrej lehtësisht përfundimi se cilën narrativë propagandonte Sheholli dhe si narrativa e tij u bë pjesë e politikës opozitare në Kosovë”, deklaroi Bytyçi.

Profesori vlerëson se tashmë duhet të analizohet më gjerësisht ndikimi i narrativave që, sipas tij, burojnë nga Beogradi dhe depërtojnë në hapësirën publike shqiptare.

“Zbulimi i veprimtarisë së spiunazhit të Fatmir Shehollit është vetëm fillimi. Vazhdimi duhet të jetë survejimi dhe analiza e secilës narrativë proserbe në Kosovë e madje edhe në Shqipëri. Më kujtohet para pak vitesh, isha në debat në Euronews Albania me Milaim Zekën. Flisnim për mbledhjen e fundit apo të parafundit të Open Balkan në Beograd. I gjendur pa asnjë argument, Zeka më pyeti: ‘Po mirë, pse nuk provoi Kurti vetë të shkonte në Samit në Beograd pa u ftuar e ta shihnim, apo e kthente mbrapsht Vuçiq?!’ Ishte aq i bindur në ‘vullnetin e mirë’ të presidentit të Serbisë, sa nuk mund ta perceptoja se nga i vinte kjo bindje. Është videoja në YouTube. Sa raste kemi si ky në debatet televizive?! Pa fund”, tha ai.

Bytyçi përmendi edhe një debat tjetër televiziv, duke pretenduar se në raste të caktuara narrativat e shprehura në medie kanë qenë të ngjashme me ato të Beogradit.

“Dhe kësi raste, kur janë mbrojtur me ngulm narrativat serbe në ekranet televizive, ka me shumicë. Duhet hetuar pse ka ndodhur kjo? A ka gisht Sheholli dhe shehollët e tjerë?! Pse vetëm Milazimit i paska dhënë ai para për të transmetuar versionin e BIA-s serbe në televizion?! Çfarë ka ndodhur deri më sot me mediet dhe një pjesë të politikës në Kosovë e në Shqipëri është kryekëput projekt i Beogradit. Por drejtësia duhet ta ndajë se kush është gënjyer e kush është paguar për ta bërë këtë punë”, u shpreh Bytyçi.

Ai kërkon që hetimi të mos kufizohet vetëm te personat që tashmë janë përfshirë në raste konkrete, por të shqyrtohet edhe mënyra se si mund të jenë ndërtuar dhe shpërndarë narrativat në favor të Serbisë.

Sipas tij, një pjesë e diskursit proserb në hapësirën shqiptare shpesh paraqitet përmes argumenteve që në pamje të parë lidhen me kompromisin, dialogun, bashkëjetesën dhe lirinë e shprehjes.

“Është interesant se të gjithë ata që flasin në favor të Serbisë, duke filluar me Edi Ramën, Baton Haxhiun e të tjerë të ashtuquajtur intelektualë, e nisin me idetë ‘liberale’ të tipit ‘jemi për kompromis’, ‘është interes i publikut’, ‘është në kuadër të fjalës së lirë’, ‘duhet të bashkëjetojmë’, ‘komshiun ta jep Zoti, nuk e zgjedh ti’ e të tjera si këto. Termat, nocionet janë përzgjedhur si krejt logjike për të përligjur jo vetëm mendimet e logjikën liberale, por edhe veprimtarinë anti-kombëtare në shërbim të armiqve të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve”, deklaroi ai.

Më tej, Bytyçi ngre pyetje edhe për institucionet e sigurisë në Kosovë dhe Shqipëri, duke kërkuar që të hetohet nëse persona të caktuar mund të kenë pasur lidhje me shërbimet serbe.

“Spiuni mbetet gjithnjë spiun. Madje është profesion. Por është e çuditshme se si ka pasur mundësi që spiuni i rafinuar Fatmir Sheholli ka marrë një milion euro nga AKI e Thaçit dhe e Shqipërisë. Habitem edhe sot sesi djali i Baton Haxhiut paguhet me qindra mijëra euro nga SHIK-u i Shqipërisë për gjoja angazhim në shërbimin sekret të Shqipërisë. Pse preferohen kaq shumë njerëzit që njihen për shërbimet që punojnë për agjencitë armike të spiunazhit?! Drejtësia duhet të hetojë nëse ka persona në shërbimin sekret të Shqipërisë e të Kosovës, ose nëse ka pasur të tillë në të kaluarën, të cilët të jenë rekrutuar në BIA-n serbe”, theksoi profesori.

Bytyçi e sheh rastin Sheholli si një mundësi për të hapur një hetim më të gjerë mbi financimin, organizimin dhe shtrirjen e pretenduar të ndikimit serb në Kosovë dhe në hapësirat shqiptare.

“Rasti i Fatmir Shehollit duhet të zbulojë gjithë dinamikën dhe rrjetën e spiunazhit serb në Kosovë e në trevat shqiptare. Thuhet se janë mbi dhjetë mijë. Logjikisht duhet të jenë dhjetra-mijë, sepse buxheti i Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe zhbërjen e shtetit të saj është marramendës. Ku shkojnë këto qindra milionë e ndoshta miliarda të Serbisë? Kush i merr ato? Çfarë shërbimi bëjnë? Çfarë kontratash janë lidhur? Cilët politikanë janë në mbështetje të shërbimit sekret të Serbisë? Këto duhet të dalin nga goja e Shehollëve dhe të shërbejnë për thellimin e hetimeve”, tha ai.

Profesori konsideron se një nga pasojat e një hetimi të tillë do të duhej të ishte edhe izolimi i veprimtarisë së personave që mund të provohen se kanë bashkëpunuar me struktura të huaja të spiunazhit.

Në këtë kuadër, ai thekson se ndëshkimi ligjor dhe izolimi shoqëror i veprimtarisë së spiunazhit janë të domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë së Kosovës.

“Së paku spiunët duhet të kenë frikë. Të kenë frikë jo vetëm nga drejtësia, por edhe nga shoqëria jonë. Dikur, kur Ibrahim Rugova homogjenizoi Kosovën si kurrë në historinë e saj, spiunët u fshehën. Nuk dilnin në ekranet shqiptare, por vetëm në ato serbe, siç kishte punuar edhe Fatmir Sheholli asokohe. Iknin nga opinioni. Ishin dhe ndiheshin të izoluar. Ishin si delja e zezë në Kosovë.

Ndëshkimi është një nga format e izolimit të veprimtarisë së spiunëve serbë në Kosovë e kudo. Largimi prej politikës dhe ekraneve televizive është mundësia e vetme që të realizohet ky izolim. Projekti serb i BIA-s i gjendur në telefonin e spiunit të hapur Fatmir Sheholli është mjaftueshëm i justifikuar për ta trajtuar çështjen me shumë seriozitet. Siguria kombëtare e Kosovës nuk rrezikohet sot nga asgjë më shumë sesa përçimi i agjendës serbe në mediet dhe politikën e Kosovës përmes narrativave që përhapin spiunët e Serbisë”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.