Ky shtet po i paguan qytetarëve për të lexuar! A mund ta ndalë kjo “kalbjen e trurit”?

Singapori ka nisur një fushatë kombëtare pesëvjeçare për të nxitur qytetarët të lexojnë më shumë, duke ofruar edhe shpërblime të vogla financiare për ata që regjistrojnë kohën e kaluar duke lexuar. Sipas CNN, programi i ri synon të rikthejë...

shtator 15, 2026 - 15:30
Ky shtet po i paguan qytetarëve për të lexuar! A mund ta ndalë kjo “kalbjen e trurit”?

Singapori ka nisur një fushatë kombëtare pesëvjeçare për të nxitur qytetarët të lexojnë më shumë, duke ofruar edhe shpërblime të vogla financiare për ata që regjistrojnë kohën e kaluar duke lexuar.

Sipas CNN, programi i ri synon të rikthejë leximin si zakon në një kohë kur përqendrimi po sfidohet nga rrjetet sociale, videot e shkurtra dhe fenomeni i ashtuquajtur “brain rot” ose “kalbjen e trurit”.

Pjesëmarrësit marrin 20 monedha virtuale për çdo seancë leximi prej të paktën 15 minutash. Vetëm një seancë mund të regjistrohet në ditë dhe duhen mbledhur 1,000 monedha për të përfituar 1 dollar singaporian. Kjo do të thotë se qytetarëve u duhen rreth 50 ditë leximi për të fituar një dollar.

“Ndërsa përmbajtja e shkurtër na ndihmon të qëndrojmë të informuar, leximi i gjatë forcon vëmendjen, të menduarit kritik dhe imagjinatën”, tha Melissa Tam, drejtuese e Bordit Kombëtar të Bibliotekave të Singaporit, cituar nga CNN.

Programi është aktualisht në fazë pilot deri në fund të vitit, ndërsa autoritetet planifikojnë ta përmirësojnë bazuar në reagimet e pjesëmarrësve.

Nisma ka hapur edhe debat në Singapor. Disa kritikë argumentojnë se leximi duhet të bëhet për kënaqësi dhe jo për shpërblim financiar, ndërsa të tjerë thonë se çdo nxitje që i largon njerëzit nga rrjetet sociale dhe i afron me librat është e dobishme.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se shpërblimet monetare mund të mos krijojnë domosdoshmërisht një dëshirë të qëndrueshme për të lexuar pasi pagesa të hiqet.

Sipas CNN, mbetet për t’u parë nëse një shpërblim i vogël financiar mund të konkurrojë me tërheqjen e vazhdueshme të algoritmeve dhe përmbajtjes së shpejtë online.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.