Labi mban premtimin, dhuron 4 mijë euro për Roelin, 2Ton kontribuon me 1 mijë euro

Këngëtari dhe humanisti Labinot Tahiri ka bërë të ditur se ka mbajtur premtimin e dhënë për familjen e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, duke ndarë një shumë prej 4 mijë eurosh për djalin e tij të vogël, Roelin. Përmes një postimi në rrjetet...

gusht 10, 2026 - 17:00
Labi mban premtimin, dhuron 4 mijë euro për Roelin, 2Ton kontribuon me 1 mijë euro

Këngëtari dhe humanisti Labinot Tahiri ka bërë të ditur se ka mbajtur premtimin e dhënë për familjen e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, duke ndarë një shumë prej 4 mijë eurosh për djalin e tij të vogël, Roelin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Labi njoftoi se familjes i janë deponuar gjithsej 5 mijë euro.

Nga kjo shumë, 4 mijë euro janë dhuruar prej tij, ndërsa 1 mijë euro janë dhënë nga reperi 2Ton, të cilin Tahiri e falënderoi për përfshirjen në këtë nismë.

Kjo ndihmë është pjesë e një iniciative që Labi e kishte nisur dy muaj më parë. Ai kishte bërë të ditur se, përveç mbështetjes që kishte ofruar privatisht, do të ndante nga 150 euro nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë ku performon, me qëllim që këto mjete të shërbejnë për shëndetin dhe të ardhmen e Roelit. Paratë i kalojnë nënës së tij, Selvies.

Në reagimin e fundit, Labi u ka bërë thirrje familjarëve që të mos shqetësohen për aspektin material, duke kujtuar se këtë premtim ia kishte dhënë më herët edhe Big Mamës dhe mikut të Shpatit, Xenit.

Ai gjithashtu iu është përgjigjur kritikëve të mundshëm duke përmendur fjalët e Nënë Terezës për veprat e bëra me dashuri të madhe, ndërsa u ka bërë thirrje kolegëve të estradës që mbështetjen dhe fjalët e mira t’i shoqërojnë edhe me ndihmë konkrete.

Në fund të postimit, Labi falënderoi mërgimtarët për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar dhe e përmbylli me një mesazh të veçantë për vogëlushin: “Roel, të do xhaxhi Labi!”.

 


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.