Lajmet e rreme për ujin në Shkup, MPB intervistoi 13 persona

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po merr në pyetje 13 persona në lidhje me rastin e përhapjes së lajmeve të rreme në rrjetet sociale për ndotjen e supozuar të ujit të pijshëm në Shkup, shkruan Portalb.mk. Departamenti i Krimeve Kompjut...

gusht 14, 2026 - 12:00
Lajmet e rreme për ujin në Shkup, MPB intervistoi 13 persona

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po merr në pyetje 13 persona në lidhje me rastin e përhapjes së lajmeve të rreme në rrjetet sociale për ndotjen e supozuar të ujit të pijshëm në Shkup, shkruan Portalb.mk.

Departamenti i Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale në Ministrinë e Brendshme bisedoi me individët dhe të gjithë thanë se kishin postuar ose shpërndarë informacionin pasi më parë kishin parë një postim të ngjashëm në rrjetet sociale ose kishin dëgjuar nga një person tjetër. Asnjëri prej tyre nuk citoi një burim specifik, të verifikueshëm apo të besueshëm për të mbështetur pretendimet për ndotjen e ujit.

Ministria e Brendshme thotë se Departamenti i Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale do të vazhdojë të mbledhë dhe analizojë të dhëna për të konfirmuar të gjitha rrethanat lidhur me ngjarjen, si dhe mënyrën se si informacioni u shfaq dhe u përhap më tej në hapësirën online.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos ndajnë informacion për të cilin saktësia nuk është verifikuar dhe të informohen ekskluzivisht nga burime zyrtare dhe relevante. Përdorimi i përgjegjshëm i mediave sociale dhe verifikimi i informacionit para publikimit ose ndarjes së tij janë thelbësore për të parandaluar dezinformimin dhe për të mbrojtur interesin publik”, thanë nga MPB.

Për ndotjen në Rashçe, ditë më parë alarmoi edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare e cila paralajmëroi se në afërsi të burimit të Rashçes po krijohet deponi ilegale dhe kërkoi reagim urgjent nga institucionet kompetente, duke pretenduar se gjendja mund të paraqesë rrezik për burimin nga i cili furnizohet Shkupi me ujë.

Kujtojmë se Rashçja është burimi kryesor i sistemit të ujësjellësit të Shkupit. Sipas të dhënave zyrtare të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, nevojat për ujë të Shkupit pothuajse tërësisht sigurohen nga kaptazhat Rashçe 1 dhe Rashçe 2, ndërsa puset Nerez dhe Lepenc përdoren si burime shtesë gjatë periudhave me konsum të shtuar.

Nga ndërmarrja kanë thënë se cilësia e ujit nga Rashçja monitorohet vazhdimisht dhe se, sipas karakteristikave të tij fizike, kimike dhe bakteriologjike, uji nuk kërkon trajtim shtesë, përveç dezinfektimit preventiv me klor.

Ndryshe, ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë më shumë sesa vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent, tregon studimi i përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend. Mbi 7300 ton nga kjo mbeturinë jashtëzakonisht kancerogjene, e cila ruhet vetëm një kilometër nga fshati Jegunovc, kërcënojnë të ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pijshëm të pastër. Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7.5 hektarësh, janë të tretshme në ujë, por pavarësisht kësaj, ato ende qëndrojnë të pasiguruara.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.