Leshka pa ujë të pijshëm në verë! Institucionet: Problemi zgjat prej vitesh

Në Spitalin e Mushkërive në fshatin Leshkë të Komunës së Tearcës uji nuk mund të pihet! Por sipas ministrit të shëndetësisë, Sasho Klekovski, kjo nuk është ndonjë gjë e re, sepse siç tha, uji në këtë fshat nuk pihet prej më shumë se një dek...

Korrik 25, 2026 - 19:30
Leshka pa ujë të pijshëm në verë! Institucionet: Problemi zgjat prej vitesh

Në Spitalin e Mushkërive në fshatin Leshkë të Komunës së Tearcës uji nuk mund të pihet! Por sipas ministrit të shëndetësisë, Sasho Klekovski, kjo nuk është ndonjë gjë e re, sepse siç tha, uji në këtë fshat nuk pihet prej më shumë se një dekade gjatë stinës së verës. Kjo ndodh sepse vijnë mërgimtarët dhe duhet të shtohen kapacitetet e ujit.

“Gjendja në Leshkë nuk është sekret edhe sepse kjo zgjat… për të mos thënë me dekada, por të paktën dekadën e fundit gjatë muajve të verës. Edhe Ministria e Shëndetësisë, si dhe ministri i shëndetësisë ndërmjet viteve 2017 dhe 2022, mund ta shihte këtë nga gjetjet e rregullta që arrinin në Ministrinë e Shëndetësisë, se edhe atëherë uji ishte i papërshtatshëm. Dhe popullsia e di këtë dhe u përmbahet udhëzimeve që merr për mënyrën e veprimit”, tha Sasho Klekovski – ministër i Shëndetësisë.

Komuna e Tearcës ka mohuar akuzat për dezinformim lidhur me furnizimin me ujë në fshatin Leshkë, duke theksuar se banorët prej disa muajsh nuk e përdorin ujin për pije për shkak të mungesës së tij gjatë periudhës së verës dhe duke apeluar që kjo çështje të mos keqpërdoret politikisht.

“Kjo situatë përsëritet pothuajse çdo vit dhe banorët e fshatit, si dhe qytetarët e komunës, janë informuar me kohë nga institucionet kompetente. Prandaj, është e papranueshme që kjo çështje të shfrytëzohet për përfitime politike apo për të krijuar panik te qytetarët. Shëndeti publik nuk duhet të bëhet objekt manipulimi dhe as mjet për propagandë politike”, thonë nga komuna e Tearcës.

Tetova, së bashku me komunat rurale, ka gjithsej 99 fshatra, nga të cilat rreth 80 prej tyre nuk kanë ujë të pijshëm, pasi shumicën e ujësjellësve e menaxhojnë vetë bashkësitë lokale. Për shkak të mungesës së ujit, bashkësitë lokale detyrohen që në ujësjellës të fusin edhe ujë lumenjsh për të shtuar sasinë e ujit në shtëpitë e tyre.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.