Partia Levica akuzon se rasti i fundit i dhunës në familje në Manastir është dëshmi tjetër e dështimit të sistemit dhe e mangësive serioze në veprimet policore për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Sipas njoftimit të partisë, një vajzë nga Manastiri kishte denoncuar se ishte përballur me dhunë fizike dhe kërcënime me vrasje nga partneri i saj. Sipas dëshmisë së saj, i dyshuari e kishte shtrënguar në fyt me duar të zhveshura, duke mos e lejuar të merrte frymë.
Në vend që të mbahej në paraburgim dhe të procedohej sipas ligjit, i dyshuari, sipas Levicës, ishte arratisur përmes dritares së stacionit policor në Manastir.
Nga partia theksojnë se edhe më shqetësues është fakti që MPB-ja i ka dërguar Prokurorisë një njoftim se personi është “i paarritshëm”, pa specifikuar se ai kishte ikur nga stacioni policor.
“Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, MPB-ja ende nuk ka ngritur kallëzim penal sipas detyrës zyrtare për rastin në të cilin vajza është mbytur me duar!”, thuhet në reagimin e Levicës.
Nga kjo parti shtrojnë publikisht pyetjen se kë po e mbron ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe nëse i dyshuari ka lidhje të afërta me pushtetin, për shkak të të cilave, siç pretendojnë, ka gëzuar trajtim të veçantë nga zyrtarët policorë.
Levica kërkon përgjegjësi edhe nga zyrtarët policorë që kanë vepruar në këtë rast, duke vlerësuar se mosveprimi i tyre mund të ketë pasoja fatale për gratë viktima të dhunës.
Në reagim rikujtohet se në dy raste të mëparshme të femicidit, përkundër procedurave disiplinore ndaj 50 zyrtarëve policorë, deri më tani nuk ka asnjë rast të përgjegjësisë penale për ndonjë pjesëtar të policisë.
“A do të ketë edhe për policët e Manastirit, nga stacioni i të cilëve i dyshuari u arratis përmes dritares, vetëm një kontroll të brendshëm burokratik, pa përgjegjësi penale?”, pyesin nga Levica.
Partia kërkon që ministri Toshkovski të dalë urgjentisht me një sqarim se si një i dyshuar për dhunë ndaj një gruaje arrin të arratiset nga stacioni policor dhe të mbetet katër ditë i paarritshëm për policinë.
Nga Levica kërkojnë gjithashtu përgjigje se si ky rast përputhet me deklaratat e ministrit se në MPB janë dhënë udhëzime që të gjitha rastet e dhunës në familje të procedohen me urgjencë. Flaka
The post Levica kërkon përgjegjësi nga Toshkovski: Si u arratis i dyshuari nga stacioni policor? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




