Limani: ASH-ja synon bashkimin e strukturave dhe rikthimin e të larguarve nga partia
Aleanca për Shqiptarët po synon të hapë një kapitull të ri politik përmes bashkimit të strukturave partiake dhe rikthimit të anëtarëve e aktivistëve që janë larguar ose distancuar nga partia ndër vite. Ky është mesazhi që përcolli Valbon Li...
Aleanca për Shqiptarët po synon të hapë një kapitull të ri politik përmes bashkimit të strukturave partiake dhe rikthimit të anëtarëve e aktivistëve që janë larguar ose distancuar nga partia ndër vite. Ky është mesazhi që përcolli Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit dhe kryetar i Këshillit Organizativ për organizimin e Kongresit të ASH-së.
Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani bëri të ditur se përgatitjet për Kongresin po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe se tashmë është përmbyllur formimi i pothuajse të gjitha degëve të partisë. Kongresi pritet të mbahet në fillim të dhjetorit, ndërsa data e saktë do të caktohet në ditët në vijim.
Limani theksoi se prioriteti kryesor i Aleancës në këtë periudhë nuk duhet të jetë vetëm procesi zgjedhor brenda partisë, por mbi të gjitha bashkimi i njerëzve dhe konsolidimi i potencialit të saj politik.
„Qëndrimi ynë aktual si ASH është që me Kongresin të kemi si qëllim bashkimin e strukturave. Të bisedojmë me të gjithë njerëzit të cilët në periudha të ndryshme kohore janë distancuar apo janë larguar për arsye të ndryshme dhe t’i rikthejmë. Mendoj se ASH-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor dhe duhet të mundohemi që secilin që gjatë rrugëtimit tonë ka qenë pjesë e Aleancës, ta rikthejmë aty ku e ka vendin“, deklaroi Limani.
Sipas tij, vetëm përmes një procesi të mirëfilltë bashkimi dhe konsolidimi të brendshëm, ASH-ja mund të forcohet si subjekt politik dhe të jetë më e përgatitur për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve në nivel lokal dhe qendror.
Duke folur për çështjen e lidershipit dhe kandidaturat e mundshme për kryetar të partisë, Limani u shpreh se është ende herët për të dhënë emra, pasi vendimi për rikandidimin i takon kryetarit aktual, Arben Taravari.
Ai vlerësoi se Taravari ka pasur një mandat të suksesshëm dhe se vazhdimi i drejtimit të partisë edhe për një mandat tjetër do të ishte i arsyeshëm. Sipas Limanit, në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, vazhdimësia e lidershipit do të ishte në interes të ASH-së, për të garantuar stabilitet në një periudhë të ndjeshme politike.
Ndërkohë, duke iu referuar spekulimeve për ambicie personale për pozita partiake, Limani theksoi se aktualisht është i përqendruar te përgjegjësia e tij si kryetar i Këshillit Organizativ dhe te përgatitja e Kongresit.
Mesazhi i Limanit vjen në një periudhë kur Aleanca për Shqiptarët po kalon një proces riorganizimi të brendshëm, me synimin për të konsoliduar degët dhe strukturat e saj në prag të Kongresit të dhjetorit. Ai e sheh këtë proces si një mundësi për rikthimin e figurave dhe aktivistëve të larguar, si dhe për forcimin e subjektit në skenën politike shqiptare në vend. Gazeta Flaka
The post Limani: ASH-ja synon bashkimin e strukturave dhe rikthimin e të larguarve nga partia appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.