Limani mohon zërat për kalim në VLEN: “Nuk ka bisedime”
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka mohuar zërat për një kalim eventual të tij apo të Aleancës për Shqiptarët në koalicionin VLEN, duke thënë se aktualisht nuk zhvillohet asnjë negociatë për rikonfigurim të skenës politike. ...
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka mohuar zërat për një kalim eventual të tij apo të Aleancës për Shqiptarët në koalicionin VLEN, duke thënë se aktualisht nuk zhvillohet asnjë negociatë për rikonfigurim të skenës politike.
Reagimi i Limanit vjen pasi një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se po zhvillohen bisedime me eksponentë të opozitës shqiptare për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar.
I pyetur nëse bisedimet përfshijnë edhe Valbon Limanin dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Isen Shabanin, Kasami tha se me partinë e Ziadin Selës, Aleancën për Shqiptarët, po zhvillohen bisedime për bashkim me qeverinë.
“Bashkëpunimi dhe respekti me të gjithë kolegët që bartin të njëjtin funksion do të jenë gjithmonë në nivelin e duhur”, deklaroi Limani.
Ai theksoi se komunikimet me kryetarët e tjerë të komunave lidhen vetëm me çështje të bashkëpunimit ndërkomunal.
“Sa u përket çështjeve të tjera, përveç bisedave kolegiale që lidhen me bashkëpunimin ndërkomunal, në kuadër të Rajonit të Pollogut apo programeve qeveritare, nuk ka asnjë lloj bisede apo negocimi tjetër në vazhdim”, tha Limani.
Limani e bëri të qartë se mbetet pjesë e Aleancës për Shqiptarët, duke e cilësuar atë si parti autonome.
“Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike”, u shpreh ai.
Sipas tij, fokusi aktual është te aktivitetet e partisë dhe puna në Komunën e Gostivarit, ndërsa paralajmëroi edhe Kongresin e ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët.
“Në të njëjtën kohë, vazhdojmë përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët, i cili do të mbahet së shpejti”, tha Limani.
Ai shtoi se prioriteti i tij mbetet qeverisja lokale dhe realizimi i projekteve.
“Fokusi im mbetet në mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Gostivarit, realizimin e projekteve dhe shërbimin ndaj qytetarëve, larg spekulimeve mediatike që nuk kanë mbështetje në fakte”, përfundoi Limani. Gazeta Flaka
The post Limani mohon zërat për kalim në VLEN: “Nuk ka bisedime” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.