Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve Associated Press (AP) ka publikuar një storie video nga Kriva Pallanka, duke pasqyruar një situatë të pazakontë me mbi 1.000 krerë bagëti që enden lirshëm nëpër qytet dhe fshatrat përreth, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar sigurinë e banorëve.
Në storien e saj, AP thekson se banorët e këtij qyteti bujqësor, me rreth 19.000 banorë në verilindje të Maqedonisë së Veriut, prej vitesh përballen me problemin e një tufe të madhe lopësh, e cila është rritur në më shumë se 1.000 krerë.
Sipas agjencisë, shkaku kryesor i kësaj situate është mosfunksionimi i institucioneve dhe një labirint burokratik që ka pamundësuar zbatimin e vendimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të vitit 2024 për konfiskimin e bagëtive nga tre pronarët e tyre.
Kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sasho Mitovski, ka kërkuar nga kryeministri Hristijan Mickoski shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë, me qëllim zgjidhjen e problemit.
“Formuam shtab për menaxhimin e krizave, sepse konstatuam se prej vitesh asnjë nga institucionet kompetente nuk ka treguar vullnet, përkushtim, kapacitet apo burime për zgjidhjen e problemit”, ka deklaruar Mitovski.
Ai thekson se bagëtitë lëvizin lirshëm nëpër 34 fshatra përreth dhe se, megjithëse AUV-ja kishte nxjerrë vendim për konfiskimin e tyre, nuk e kishte zbatuar atë.
“Që nga viti 2024, tufa është pronë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Absurdi qëndron në faktin se Agjencia ka nxjerrë vendim për konfiskim, por nuk ka arritur ta zbatojë”, ka deklaruar kryetari i komunës.
Sipas tij, situata ka krijuar edhe rrezik për shëndetin publik. Vitin e kaluar, një pjesë e bagëtive kishte ngordhur pranë burimeve kryesore të ujit të qytetit, duke ngritur shqetësime për ndotjen e furnizimit me ujë të pijshëm.
AP raporton gjithashtu se njëri nga pronarët e bagëtive ishte akuzuar dhe mbajtur në paraburgim për pengimin e aksionit të konfiskimit. Megjithatë, sipas Mitovskit, ai ishte liruar pasi një inspektor i AUV-së kishte dëshmuar në gjykatë se pronari nuk e kishte penguar realisht aksionin.
“Bëhet fjalë për një sistem të ndërlidhur, ku janë të përfshira keqpërdorime serioze nga disa persona, prandaj është e vështirë të përcaktohet se ku përfundon e gjithë kjo”, ka deklaruar Mitovski.
Ndërkohë, sipas vlerësimeve të bazuara në çmimet aktuale të tregut, vlera e tufës së bagëtive llogaritet nga 360.000 deri në 570.000 euro.
Banorët kërkojnë që Qeveria ta nxjerrë bagëtinë në shitje me çmime të përballueshme, në mënyrë që qytetarët e interesuar të mund t’i blejnë dhe të kujdesen për to.
Problemi i pazakontë i lopëve që enden lirshëm në Kriva Pallankë ka kaluar tashmë kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Storia e Associated Press është shpërndarë ditëve të fundit nga media të shumta ndërkombëtare, duke e kthyer këtë rast në një lajm me jehonë botërore.
The post Lopët e Kriva Pallankës bëhen lajm botëror, AP publikon pamje të kaosit me mbi 1.000 krerë bagëti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




